Nga Agron Brataj
ZÜRICH
Spanja ka siguruar biletën për në finalen e Kampionatit Europian të Futbollit për Femra, pas një fitore të vuajtur por të merituar 1-0 ndaj Gjermanisë, në ndeshjen gjysmëfinale të zhvilluar në Stadion Letzigrund të Zyrihut. Golin vendimtar e realizoi Aitana Bonmatí në minutën e 113-të, duke çuar iberiket në finalen e madhe të së dielës në Basel, ku do të përballen me Anglinë (ora 18:00).
Bonmatí vendos ndeshjen në shtesë
Pas një sfide të ekuilibruar dhe pa gola në kohën e rregullt, lodhja filloi të ndihej në shtesë, veçanërisht te Gjermania, që kishte pasur një ditë më pak pushim dhe vinte nga një betejë e gjatë me Francën, e fituar vetëm pas penalltive.
Spanja ishte më kërkuese dhe e freskët: në minutën e 100-të, Patri Guijarro tentoi të shërbejë për Paralluelo në zonë, por portierja gjermane Berger lexoi mirë aksionin dhe ndërhyri me kohë.
Por ishte momenti i Bonmatí që vendosi gjithçka me një perlë nga jashtë zonës në minutën e 113-të, duke befasuar portieren gjermane dhe dërguar Spanjën drejt historisë.
Gjermania nuk dorëzohet, por nuk mjafton
Gjermania provoi të reagojë në fund me Schüller, që në minutën e 118-të testoi refleksin e portieres spanjolle, por pa sukses. Pas kësaj, vërshëllima e fundit i dha fund ëndrrës gjermane dhe zyrtarizoi kalimin e Spanjës në finalen e parë europiane në historinë e saj.
Italia eliminohet me nder, Mattarella fton vajzat në Quirinale
Në gjysmëfinalen tjetër, Anglia eliminoi Italinë 2-1, duke i dhënë fund një rrugëtimi të shkëlqyer të vajzave Azurre, të cilat fituan zemrat e tifozëve. Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, ka ftuar zyrtarisht ekipin kombëtar të femrave në Quirinale, për të nderuar paraqitjen dinjitoze dhe shpirtin luftarak.





