Nga Iriald Devishaj

Juventusi vijon përpjekjet për të siguruar qëndrimin e Randal Kolo Muani-t, duke kaluar nga ideja e një huazimi të thjeshtë në një marrëveshje me detyrim blerjeje në fund të sezonit. Kjo formulë mund të kënaqë Paris Saint-Germain-in, klubin që zotëron kartonin e sulmuesit francez, dhe të zhbllokojë një situatë të vështirë për bardhezinjtë, të cilët aktualisht përballen me vështirësi për të afruar lojtarë të rinj pa realizuar më parë largime.
Çështja më e ndërlikuar në këtë merkato për Juventusin mbetet ajo e Dusan Vlahovic. Sulmuesi serb nuk bën pjesë në planet e trajnerit Igor Tudor, por ka një rrogë shumë të lartë dhe një vlerësim që vështirëson çdo përpjekje për ta transferuar.
Bardhezinjtë janë të gatshëm ta shesin për të pasur më shumë liri në merkato dhe për të shmangur pagesën e një page që arrin deri në 12 milionë euro në sezon. Megjithatë, me vetëm një vit kontratë të mbetur dhe pa rinovim në horizont, ende nuk ka një ofertë që të kënaqë të gjitha palët.
Vlahovic tashmë ka refuzuar ofertën nga Fenerbahçe, ndërsa është propozuar te Manchester United, i cili e ka refuzuar me korrektesë, pasi ka prioritet tjetër: Benjamin Sesko-n, sulmuesin e Leipzig që pëlqehet gjithashtu nga Newcastle.
Klubi anglez ka ofruar 80 milionë euro plus 10 milionë euro bonuse për të, ndërkohë që po përpiqet të mbajë larg Liverpoolin nga Alexander Isak, sulmuesi suedez që është gjithashtu në radarët e Juventusit. Gjithsesi, interesi i bardhezinjve për këta emra duket më shumë si një sondazh paraprak, duke pasur parasysh konkurrencën e ashpër nga gjigantët e Premier League.




