
Me pankarta kreative, mesazhe ironike dhe thirrje politike, mijëra qytetarë morën pjesë dje në protestën e 16-të të zhvilluar në Tiranë, ku kërkesa kryesore mbeti dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Përveç sloganit që tashmë është bërë refren i përditshëm i protestave – “Rama jepe dorëheqjen” – pjesëmarrësit sollën edhe pankarta me mesazhe të forta, të cilat tërhoqën vëmendjen gjatë marshimit dhe tubimit para Kryeministrisë.
Ndër pankartat që spikatën ishin:
• “Kjo tokë ka zot popullin”
• “Tirana s’është filtër Instagrami o shefi”
• “E ardhmja nuk negociohet”
• “Nga Roma në Tiranë për një Shqipëri pa Ramë”
• “Kur diktatura është fakt, revolucioni është detyrë”
• “Gjynahet e tua nuk i lan as shiu”
Mesazhet pasqyruan pakënaqësinë dhe revoltën e protestuesve, të cilët deklaruan se do të vijojnë mobilizimin deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Ndërkohë, sot në orën 18:00, qytetarët pritet të mblidhen sërish për protestën e 17-të, me pikëtakim përpara Kryeministrisë.




