Dy inspektorë të taksave në Bashkinë e Shkodrës janë arrestuar nga ana e policisë.

Idlir Dibra dhe Gege Nika janë vënë në pranga pasi dyshohet se kanë favorizuar biznese për mos pagim taksash në zonën e Velipojës.

Njoftimi i policisë:

Arrestohen dy Inspektorë të Zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër për veprat penale  “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre”, dhe “Falsifikim dokumentash”.

Procedohet në gjendje të lirë  Drejtori i kësaj Drejtorie për veprën penale “Shpërdorim detyre”, dhe pronari i një hoteli për “Fshehja e të ardhurave”.

Në zbatim të planit të masave për Sezonin Turistik 2019, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në D. V. P. Shkodër, në kuadër të  operacionit policor “Akomoduesi 2” , janë ushtruar kontrolle në disa subjekte në Plazhin e Velipojës.

Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar shkelje të bëra nga ana e punonjësve të bashkisë Shkodër dhe subjekteve në lidhje me deklarimin e të ardhurave.

Për këto shkelje u bë ndalimi i shtetasve:

  1. N. 52 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re Shkodër, ekonomist, inspektor,
  2. D.49 vjeç, banues në Shkodër, ekonomist, inspektor, për veprat penale të “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentash”.

Si dhe u procedua në gjendje të lirë Drejtori i Drejtorisë së të Ardhurave në Bashkinë Shkodër shtetasin, B. Gj. 41 vjeç, për veprën penale të “Shperdorim detyre”.

Keta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, duke qënë në pozicionin e inspektorëve të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër, ku me anë të falsifikimit të dokumentave  kanë shpërdoruar detyrën dhe kanë  favorizuar në këmbim të marrjes së ryshfetit në një subjekt (hotel) në Plazhin e Velipojës, duke mos deklaruar numrin real të dhomave  të këtij hoteli, me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton  Bashkia Shkodër.

Në vijim të veprimeve  u procedua pronari i hotelit shtetasi K. L. 27 vjeç, banues në Velipojë Shkodër, për veprën penale “Fshehje e të Ardhurave.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*