TIRANE-Kryeprokurorja aktuale e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka dorëzuar zyrtarisht kandidaturën pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të vijuar drejtimin e institucionit të Akuzës me mandat të plotë. Dokumentet për kandidimin Arta Marku i ka dorëzuar ditën e djeshme me postë. Marku drejton Prokurorinë e Përgjithshme prej 19 dhjetorit të 2017, pasi i mbaroi mandati Adriatik Llallës. Ajo ka qenë për 7 vjet drejtuese e Njësisë së Përbashkët Hetimore për Krimin Ekonomik dhe Korrupsionin në Prokurorinë e Rrethit Shkodër si dhe  Zëvendës Drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, por edhe pedagoge. Deri tani në garë për postin e Kryeprokurorit të ri përveç Arta Markut janë edhe tre kandidatë të tjerë; Olsian Çela, i cili është njëri nga 10 prokurorët rebelë që u përplasën me Donika Prelën për pretencën e dosjes “Shullazi”.

.

Prokurorja Fatjona Memcaj ishte kandidatura e dytë. Prokurorja e Apelit në Tiranë kaloi vettingun në tre shtylla kryesore, pasuria, figura morale dhe aftësia profesionale. Memcaj ka përfunduar shkollën e magjistraturës në vitin 2002. E gjithashtu ka mbaruar studimet për doktoraturë në universitetin Middlesex Londer. Njihet si prokurorja që dënoi në Apel Kastriot Ismailin dhe prokurorja që ka përfaqësuar çështje kundër korrupsionit. Fatjona Memcaj aktualisht është edhe Anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Kandidatura e tretë është avokati Lulzim Alushaj. Ai ka përfunduar në vitin 2005 masterin për jurist ndërkombëtar në Universitetin e Bolonjës në Itali. Në vitet 2000-2004 është diplomuar në Jurisprudencë në Universitetin e Bolonjës dhe me doktoraturë të mbrojtur në këtë shtet në fushën “Qeverisja e BE-së, Politikat Shoqërore dhe Fiskale”. Ai ka mbrojtur edhe temën me titull “Politikat e integrimit europian, duke u nisur nga fushat sociale, ekonomike dhe juridike”.

Dje dorëzoi dokumentet Arta Marku, e cila konsiderohet kandidatura më  e fortë.  Marku doli përpara KPK-së  në korrik të 2018 ës dhe kaloi me sukses vettingun, ndërsa nuk ka asnjë masë disiplinore në karrierë.  Afati  për pranimin e kandidaturave përfundon më datë 2 Maj.  Rregullorja parashikon 4 kritere kryesore për vlerësimin e kandidatëve për Prokurorit të Përgjithshëm: Kriteri profesional, kriteri moral dhe të integritetit, vlerësimi organizativ dhe drejtues dhe elemente shtesë për vlerësim (përvojë në jetën akademike, tituj shkencorë) dhe përgjegjësia për të zgjedhur Prokurorin e ri i i takon parlamentit. Një tjetër kusht që duhet të plotësojë kandidati në garë për kryeprokuror është edhe vettingu.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*