Nga Agron Brataj

Në lidhje me atentatin e shënuar pak minuta më parë në Lungomare në qytetin e Vlorës, ku një person mbeti i plagosur bëhet me dije se persona nga dy automjete në ecje kanë shkëmbyer zjarr mes tyre me breshëri. Makinat kanë lëvizur paralel në rrugë, ndërsa në një moment automjetet janë ndalur para një lokali në Lungomare. Aty kanë qëlluar sërish me breshëri automatiku, ku nga sa mësohet, një person, që dyshohet se ishte kalimtar i rastësishëm, ka mbetur i plagosur pasi ka marrë një plumb në këmbë. Kalimtari i cili është me inicialet D.C, është jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ngjallur panik edhe tek personat e ulur në lokal, të cilët në momentin e breshërisë janë ulur poshtë tavolinave.
Sipas informacioneve paraprake, autorët janë larguar me automjet dhe kanë marrë drejtimin mes rrugicave në blloqet e pallateve që ndodhen në zonë. Pas ngjarjes, policia ka gjetur të djegur një automjet në zonën e Babicës, në periferi të qytetit bregdetar, që dyshohet të jetë njëri grup të autorëve të atentatit.
Të gjithë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë janë larguar nga vendi i ngjarjes me automjete. Një makinë u gjet e djegur, ndërsa nga sa kanë identifikuar qytetarët, një prej makinave dyshohet të ketë qenë Range Rover i zi.
Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes, pritet të japë detaje mbi këtë ngjarje të fundit.
Në shëtitoren mjaft të frekuentuar nga qytetarët e Vlorës, është përhapur panik, ndërsa mësohet se kanë qenë vetë banorët që kanë njoftuar të parët policinë e Vlorës pasi kanë dëgjuar të shtënat me armë. Bizneset në këtë zonë kryesisht janë të pajisur me kamera sigurie dhe pritet të shihet nëse në filmime do të jenë pikasur autorët e kësaj ngjarje.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*