
Familja Bungo nga Elbasani dokumentohet qysh në shekullin e XIV-të, si një ndër familjet me prona në dokumentet osmane dhe brez pas brezi trashëgoi pasurinë që do ta humbte për një vit dhe nuk do ti kthehej asnjëherë në të njëjtat përmasa. Por me gjithë pasurinë e madhe, beu Demir Bungo nuk u pajtua me regjimin fashist, duke humbur detyrën e tij si sekretar gjykate, pasi nuk pranoi të anëtarësohej në partinë fashiste. Kjo bëri që ai të ishte në shënjestër, si nga fashistët, ashtu edhe nga nazistët më pas. E megjithatë, ishte beu që strehoi dy italianë dhe i shpëtoi nga ndjekja e nazistëve. Ai gjithashtu provoi internimin në Porto Romano, u vu në shënjestër nga oficerë të Gestapos dhe arriti të shpëtojë mrekullisht. Demir Bej Bungo u bë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe kjo nuk do të ishte një rastësi.
Ai ishte dhëndër në familjen Baholli, familje e cila për një kohë të gjatë strehoi Enver Hoxhën dhe Shtabin e Përgjithshëm në çifligun e saj në Labinot Mal. Kjo lidhje vinte pasi Nexhmije Hoxha ishte kushërirë e kësaj familjeje dhe afërsia mes tyre ishte e madhe. Por me gjithë këtë lidhje dhe këtë kontribut, Demir bej Bungo vdiq në kampin-burg të Maliqit, një djalë i tij u burgos, ndërsa fëmijët e tjerë u sekuestruan, u hoqën nga shkolla dhe u pushuan nga puna.
Kushërira e dytë e Nexhmie Hoxhës, Myrvet Nazif Baholli, bashkëshortja e Demir Bej Bungos, nuk e uli asnjëherë kokën, t’i kërkonte mëshirë bashkëshortes së diktatorit dhe jeta e vështirë e kësaj familje, vazhdoi deri në demokraci. Familja e Demir Bej Bungos përbëhej nga bashkëshortja e tij Myrvet Nazif Baholli, nëna e tij Zeqineja dhe fëmijët e tij; Sezaiu, Haxheri, Hyseni, Ferzileti, Bulenti, Astrit dhe Shkëndija. Ferzileti dhe Shkëndija tregojnë historinë e familjes, që u persekutua deri në palcë.
Ato tregojnë se përndjekja e familjes së tyre ishte mjaft absurde dhe thonë se arsyeja e vetme, ishte se ato ishin të pasur. Edhe pse ishin të lidhur afër me bashkëshorten e ish diktatorit Enver Hoxha, kjo nuk i ndihmoi t’i shpëtonin persekutimit, madje e pësuan më keq duke humbur të atin në Maliq.




