Nga Agron Brataj

Banorët e Kaninës kërkojnë zgjidhje, jo mashtrime: Rruga drejt pronës nuk mund të bllokohet nga premtime politike

Kaninë, Vlorë – Prej ditësh, banorët e fshatit Kaninë po protestojnë me qetësi e dinjitet për të kërkuar një të drejtë themelore: aksesin e lirë dhe të sigurt në pronat e tyre. Situata është bërë kritike pas ndërtimit të Baypass-it të Vlorës, ku zgjidhja teknike e projektuar nga firma ndërtuese parashikon një dalje të vetme, përmes një tuneli të ngushtë dhe të papërshtatshëm për kalimin e mjeteve të banimit, emergjencës apo ndërtimit.

Ky problem nuk është vetëm teknik  është njerëzor, shoqëror dhe mbi të gjitha, ligjor. Nëse një qytetar nuk mund të hyjë apo të dalë lirshëm nga prona e tij, atëherë nuk mund të flasim për asnjë standard demokracie funksionale.

Mashtrime, premtime të thyera dhe heshtje politike

Ajo që e rëndon më tej situatën është mënyra si janë trajtuar këta banorë nga institucionet dhe përfaqësuesit politikë  si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita. Prej muajsh, banorët janë përballur me premtime boshe, përgjigje të përgjysmuara dhe shmangie të qëllimshme nga zyrat shtetërore.

Kryeplaku i fshatit një përfaqësues që duhet të ishte në krah të banorëve  ka zgjedhur të heshtë e të shmangë pjesëmarrjen në protestat e komunitetit që e zgjodhi. Ironikisht, ai shfaqet vetëm kur vijnë zyrtarë të lartë si kryetari i bashkisë apo deputetët e zonës, duke lënë pas rolin e tij përfaqësues dhe duke u kthyer në një figurë politike të njëanshme.

Banorët shprehen të zhgënjyer nga fakti që ky Kryetar Fshati  ka shpenzuar më shumë energji për të mbledhur vota “derë më derë”, shpesh me arrogancë dhe presion për një kandidat të vetëm të Partisë Socialiste, sesa për të zgjidhur hallet konkrete të komunitetit.

Kërkesa është e qartë: një rrugëdalje funksionale

Në thelb, kërkesa e banorëve është shumë e thjeshtë dhe plotësisht e arsyeshme: të krijohet një rrugëdalje e sigurt, funksionale dhe e aksesueshme për çdo banor që ka pronë apo banesë në zonën e prekur nga Baypass-i.

Kjo rrugë është jetike për:

Sigurinë në rast emergjencash (zjarr, shëndet, fatkeqësi natyrore)

Lirinë e lëvizjes dhe qasjes ndaj pronës

Zhvillimin e pronës për qëllime banimi apo ekonomike

Banorët nuk kërkojnë favore apo përjashtime. Kërkojnë që shteti dhe institucionet përkatëse të bëjnë detyrën e tyre. Kërkojnë një zgjidhje reale dhe të zbatueshme, jo më premtime që mbeten në letër dhe fytyra që shfaqen vetëm në fushata.

Apel për institucionet e Republikës

I bëhet thirrje Autoritetit Rrugor Shqiptar, Bashkisë së Vlorës dhe të gjitha zyrave përkatëse të marrin menjëherë masa për të vlerësuar nga afër situatën në fshatin Kaninë dhe të ofrojnë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme për banorët.

Në një shoqëri demokratike, asnjë ndërtim publik nuk mund të justifikojë izolimin e qytetarëve nga pronat e tyre.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*