Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është treguar për herë të parë i hapur për tu ulur në tryezë dialogu me kryeministrin Edi Rama. Një thirrje e përsëritur e kreut të qeverisë, por që këtë radhë, Basha e artikuloi si dakordësi të plotë me aleatët e tij, të cilët nesër do të kenë një takim me presidentin Ilir Meta për t’i kërkuar atij thirrjen e tryezës së dialogut si negociator, dhe uljen e të gjitha partive politike.

Këtë të hënë, pesë aleatët e qendrës së djathtë (pa Shpëtim Idrizin e PDIU) teksa paraqitën një platformë për të arritur një marrëveshje kushtetuese, me ndryshime të thella në kushtetutë dhe me ndryshime në gjithë sistemin edhe të funksionimit të shtetit, u shprehën se dialogu duhet arritur me të gjitha partitë, dhe nuk është problem për ta që Edi Rama të vijë si kryetar i Partisë Socialiste. Edhe pse qëllimi final është largimi i kryeministrit dhe krijimi i një qeverie tranzitore për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, aleatët, për herë të parë nuk vendosën kusht dorëheqjen e Ramës dhe më tej uljen në tryezë.

Edhe Basha në një prononcim për gazetarët nga selia blu, nuk tha të artikuluar direkt se: “Po”, do ulej me Ramën në tryezë, por theksoi se bie plotësisht dakord me aleatët.

Pyetja: Zot Basha, aleatët tuaj, sot kanë paraqitur një platformë me disa pika. E para a e mbështesni ju këtë platformë dhe a keni dijeni? Dhe e dyta ata kanë propozuar një tryezë që të uleni ju me zotin Rama, si kryetar i Partisë Socialiste, a jeni i gatshëm ju që të uleni për zgjidhjen e krizës?

Përgjigja e Bashës: Nuk ka asnjë mospërputhje mes qëndrimeve të PD dhe të gjithë koalicionit tonë, ka përputhje totale. PD ka përfunduar javën e kaluar dokumentin e detajuar me detyrat e qeverisë tranzitore në raport me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, e kemi diskutuar edhe me aleatët dhe do e paraqesim në ditët në vijim në mënyrë publike. 

Një pjesë e mirë e pikave të aleatëve që kanë shpalosur sot janë edhe pikat e programit të PD-së, ka një përputhje totale. Koalicioni opozitar po vepron me bashkëpunim, mirëkuptim dhe në sinergji të plotë për të ecur përpara, cështjet e tjera janë detaje të parëndësishme.

Kryesorja është regjistrimi në zgjedhje dhe pjesëmarrje vetëm kur të ketë vërtetë zgjedhje dhe jo farsë kriminale dhe kushti i padiskutueshëm mbetet largimi i Ramës nga qeveria dhe krijimi i një qeverie tranzitore për të cilën do të keni më shumë informacion në ditët në vijim” 

Aleatët kërkojnë përcaktimin e një date për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, me një qeverisje tranzitore me dakortësi politike.

Qëndrimet që shpalosen sot aleatët: Basha do ulej në tryezë me Bashën ende pa dhënë dorëheqjen

Aleatët e qendrës së djathtë thanë sot se kërkesa e tyre ndaj presidentit Ilir Meta për të ulur në tryezë dialogu të gjitha palët politike për zgjidhjen e krizës, ka dakordësinë edhe të liderit demokrat Lulzim Basha. Kjo tryezë, sipas 5 partive opozitare, duhet të vlerësojë kushtet dhe kërkesat e OSBE/ODHIR për të shmangur shitblerjen e votës, intimidimin e votuesve dhe përdorimin e administratës shtetërore, kontrollin mbi territorin dhe procedimin e grupeve kriminale, të cilat janë evidentuar në shitblerjen e votës.

Nard Ndoka, kryetar i PDK-së, tha se kryedemokrati Basha është shprehur edhe më herët që nuk është kundër dialogut dhe se ulja në një tryezë me Edi Ramën, përsakohë ai është edhe kryetar i Partisë Socialiste, është e pashmangshme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*