E gjithë Lufta e Dytë Botërore në 105 ditë. Jo se ajo zgjati aq, por ato 105 ditë brenda një bunkeri do të përshkruanin më së miri marrëzinë që mbolli 60 milionë viktima. Ambasadori Bashkim Zeneli sjell për lexuesin një tjetër libër

Nuk bëhet fjalë më për kujtimet e tij, por për sintezën e një hulumtimi të gjatë nëpër arkiva dhe nëpër ditarët, shënimet e eksponentëve të rëndësishëm të Luftës II Botërore, qofshin këta nga anë e mundur apo nga ajo e aleatëve. Libri “Berlini 1945 – Maji i Fitores” ndalet në ditët e fundit të Hitlerit, atëherë kur marrëzia e tij kishte arritur kulmin. Çfarë ndodhi në bunkerin ku ai qëndroi për tre muaj e gjysmë; mbledhjet e përditshme të Hitlerit me kabinetin e tij dhe gjeneralët madhorë; gjendja e tij e rënduar psikologjike, qetësuesit; testamenti që la, urdhrat për ta kthyer Berlinin në Tokë të Djegur; dekretet për të eliminuar bashkëpunëtorët e tij dhe vetëvrasja. Siç do të shprehej historiani Paskal Milo: “Ky libër është një kambanë alarmi që historia të mos përsëritet”.

BASHKIM ZENELI

PASIGURI E KAOS NË BUNKER…

Bunkeri i Fyhrerit ishte në ditët e tij më të vështira, në ditët më të tmerrshme të frikës, ankthit, kaosit dhe pasigurisë. Hitleri besonte dhe donte të besonte se nuk do të binte në dorë të aleatëve, e veçanërisht në duart e “bolshevikëve dhe hebrenjve”. Ai ishte në një krizë të plotë nervore, nën kujdesin e përhershëm, orë e minutë të kryemjekut të tij personal, Ludwig Stumpfegger (që më 2 maj 1945 do të kryente vetëvrasje). Hitleri do të mbahej me qetësues të fortë dhe me drogë. Ai fantazonte në gjithçka, besonte në gjithçka që i thoshin bashkëpunëtorët e gjeneralët fanatikë, entuziazmohej në çast e çirrej në çast, dyshonte për tradhti dhe dezertorë të gjeneralëve të frontit, sidomos të atyre të Berlinit, që i ngrinin ndonjë problem; nxirrte përditë dekrete dhe urdhra nga më të çuditshmit, me gjendjen e luftës “motivonte” dekrete për të vrarë në vend çdo tradhtar dhe dezertor, jo vetëm ushtarak, por edhe zyrtar civil. Hitleri kishte hyrë në bunker që më 16 janar të vitit 1945, duke u kthyer kështu përfundimisht në Berlin nga rezidencat qeveritare në Vinnitsa dhe Rastenburg. Ishte larguar nga bunkeri gjatë gjithë kësaj kohe vetëm 2 herë, më 25 shkurt dhe 15 mars, shumë shkurt, për dy ceremoni të ndryshme dekorimesh… Pastaj, për 105 ditë do të mbyllej përfundimisht aty. Nuk do të dilte asnjëherë, as në një oborr të vogël që ishte në hyrjen kryesore të bunkerit. Fotografia e tij e fundit është ajo kur më 23 prill 1945, së bashku me një nga truprojat e tij, Julius Schaub, do të dilte të hyrja e derës së bunkerit për të parë rrënimet e kancelarisë (mbi bunker) nga bombardimet e aviacionit sovjetik.

Më 6 prill 1945, në zyrën e tij do të dëgjonte raportimet e disa gjeneralëve për situatën. I ulur në karrige, do të ngrihej krejt papritur dhe do të shpërthente në një idiotësi: “Përqendrimi i trupave ruse në zonën e Kustrin, pranë Oderit, është vetëm një manovër taktike për të na çorientuar neve… Ju duhet të dini se ofensiva ruse nuk do të drejtohet nga Berlini, por nga Praga…”.

Tani, trupat sovjetike, nën drejtimin e gjeneralëve të njohur Malinovski dhe Tolbukhim ishin në dyert e Pragës dhe të Budapestit. Mbas luftimeve të ashpra me trupat gjermane që do të rezistonin me fanatizëm të madh, Vjena, më 8 prill 1945, do të ishte në duart e sovjetikëve).

Për këtë “manovër” të ushtrisë sovjetike që do të diskutonte me nervozizëm Hitleri, gjeneralët e pranishëm nuk do të flisnin, por në heshtje do të “pajtoheshin” me Fyhrerin. Njëri prej gjeneralëve më fanatikë të regjimit, Ferdinand Schörner, do të mbështeste hapur Hitlerin: “Ne duhet të mësojmë nga historia… Kujtoni, Fyhreri im, fjalët e Bismarkut se kush ka Pragën, atij i përket Europa!”.

Fyhreri do të mbështeste këtë miratim të gjeneralit të tij, kur të tjerët kishin ulur kokën. (Sovjetikët ishin fare pranë Berlinit, në marshimin për aty, ndërsa Hitleri fliste se ata synonin… Pragën). (!!!)

Gjenerali Schörner, nga më të njohurit për ushtrinë gjermane, vetëm mbas një ore, ende pa shkuar në zyrën e tij, do të njoftohej se ishte graduar në Marshall nga Fyhreri. Po atë mbasdite të 6 prillit 1645, Hitleri do të urdhëronte që katër njësi tankiste që komandoheshin nga gjenerali Heinrici, të shkonin në jug për të ndihmuar njësitë e tjetra për ndalimin e ushtrisë sovjetike, e cila do të vinte nga jugu dhe juglindja.

Në mbrëmje, Hitlerit do t’i vinte informacioni se disa ushtarakë të lartë janë ekzekutuar në Berlin, në përpjekje “për t’u larguar”. Kjo do ta gëzonte Fyhrerin.

Natën, ai i kërkon gjeneralit Wilhelm Burgdorf, shef i truprojave dhe njëkohësisht shef i personelit të këmbësorisë së ushtrisë gjermane, që t’i sillte një listë për të graduar ushtarakë të lartë dhe gjeneralë besnikë dhe për të shkarkuar të tillë “frikacakë dhe të paaftë”. Do të firmoste një listë me 27 ushtarakë të graduar e të zhgraduar. Me disa gjeneralë do të fliste vetë në telefon gjatë natës për t’i uruar…

Në anën tjetër, ministri i propagandës naziste, Goebels, vazhdonte më të gjitha mjetet e informimit që ende kishin mbetur, t’i drejtohej popullit gjerman, e veçanërisht berlinezëve se “me Fyhrerin do ta fitojmë luftën tonë të shenjtë… ne do të shfarosim në të gjithë botën hebrenjtë, që i kanë sjellë aq të këqija popullit gjerman…”

Po pakkush e besonte. Propaganda nuk mund ta mbulonte Berlinin e shkatërruar; njerëzit vuanin çdo ditë e më shumë për ushqimin e përditshëm. Kudo kishte gjurmë të qarta të bombardimeve të fundit të aleatëve perëndimorë, por edhe të sovjetikëve. Tymi dhe flaka ishin të përditshëm. Njerëzit mendonin vetëm për të shpëtuar kokën. Ato dyqane që kishin mbetur pa u shkatërruar ishin thuajse bosh. Do të përllogaritej se mbas mbarimit të luftës, “për të pastruar rrënojat e luftës do të duheshin… 18 vjet. 85 për qind e potencialit industrial e tregtar ishte jashtë çdo funksioni”.

Berlini, jo vetëm nga banorët e tij, por edhe nga zyrtarë e ushtarakë, tani do të përcaktohej me fjalët “Ora 0!”. Kudo ishin vendosur tabela ku thuhej “Kujdes, mina!”. Lufta e Dytë Botërore që Hitleri kishte nisur në vitin 1939, duke e quajtur si “ëndrra e jetës së tij”, për t’i dhënë popullit gjerman një Gjermani të madhe, po përfundonte me humbjen pa kushte të Rajhut të tretë, por edhe me një çmim të pallogaritshëm që po paguante populli gjerman…

Më 7 prill, një ditë mbasi kishte urdhëruar kalimin e katër njësive tankiste të gjeneralit Heinrici, në jug të frontit, Hitleri do ta thërriste atë në bunker, së bashku me zëvendësin e tij, kolonelin Eismann. Të dy ushtarakët mendonin gjatë rrugës për në bunker, se Fyhrerit i duhen thënë gjërat siç janë, pavarësisht nga konsekuencat që edhe mund të kishin.

“Heinrici dhe unë, – do të shkruante në ditarin e tij koloneli Eismann, – ishim të bindur se Hitleri dhe këshilltarët e tij do të suleshin egërsisht për çdo gjë që nuk do t’u pëlqente dhe kishte shumë pak nga ata që do të flisnin ndryshe, pa llogaritur se çfarë i priste. Heinrici, para se të hynte në bunker, do t’i thoshte kolonelit të tij se “nuk mund të besohet se si ky Hitler, që tri vite më parë do të zotëronte gjithë Europën, që nga Vollga deri në Atlantik, tani ndodhej në humnerë”.

Në sallën ku pritej takimi me Fyhrerin ndodheshin edhe marshalli Keitl, admirali Donitz, Martin Bermann, Sekretar i Partisë Naziste, gjenerali Hans Krebs dhe ushtarakë të tjerë të lartë, përfshirë të përhershmit e këtyre tavolinave, gjeneralin e afërt të Hitlerit, Wilhelm Burgdorf.

Gjenerali Krebs do t’i thoshte gjeneralit Heinrici se “në këtë takim me Fyhrerin do të shkonte çdo gjë shumë mirë dhe se me siguri Fyhreri do t’u jepte përgjigjen e duhur të të gjitha çështjeve që do të shtroheshin”.

Ndërsa i plotfuqishmi Bormann (që më 2 mars do të vetëvritej) do ta pyeste kolonelin Eismann: “Si e shihni ju situatën, mendoni se e gjithë kjo është me një rëndësi të veçantë për Berlinin dhe Gjermaninë në tërësi?”. Dhe koloneli, që e dinte se ushtria e kuqë ishte vetëm 35-40 km larg Berlinit, i tronditur nga pyetja, do t’i përgjigjej: “Gjendja është serioze, prandaj jemi këtu”…

Bormanni do ta qetësonte: “Nuk duhet të shqetësohesh. Fyhreri me siguri do të japë urdhër që të forcohet ushtria që komandon gjenerali Heinrici. Ju do të merrni aq trupa sa të keni nevojë”. Bormann nuk e dinte se një ditë më parë Hitleri kishte urdhëruar gjeneralin Heinrici të dërgonte 4 njësitë tankiste në jug.

Në sallën e mbledhjes do të vinin edhe gjeneralët Jodl, Koller dhe Buhle. Dukej se takimi do të ishte shumë i rëndësishëm. Të gjithë këta gjeneralë, – do të kujtonte Eismann, – besonin se një mrekulli e Fyhrerit do të shpëtonte vendin nga një katastrofë në momentet e fundit. Dhe në pritje për të nisur mbledhja me Hitlerin, Berlini do të bombardohej nga aviacioni britanik. Do të gjëmonin sirenat dhe altoparlantët. Qyteti do të tronditej i tëri. Toka do të mbushej me gropa të reja, të mëdha. Një predhë e fuqishme do të shpërthente edhe në një burg të Berlinit. Shumë të burgosur do të dilnin duke vrapuar, pa e ditur se ku. Të tmerruar, por edhe të gëzuar…

(Në një libër për luftën e Berlinit, kam lexuar edhe për këtë ngjarje: Rudolf Reschke, një djalë vetëm 14-vjeçar, duke parë të tmerruar nënën e tij teksa zbriste në bodrum, shkon në kuzhinë dhe merr një çekiç. Del në oborr, pa e dëgjuar nënën e tij që e thërriste. Aty ishte një skulpturë me kokën e Hitlerit. Rudolfi e godet skulpturën, e bën copë-copë dukë thënë: “Kështu e meriton!”).

Më në fund, Hitleri do të hynte në sallën e mbledhjes, të mbushur me gjeneralë. Disa të tjerë ishin në këmbë në korridor. Koloneli Eismann, i pranishëm në takim, do të shkruante në ditarin e tij: “Fyhreri ishte i dërrmuar; këmbën e majtë e tërhiqte zvarrë; koka i rëndonte majtas mbi shpatullat e rëna e të zvogëluara. Sytë i kishte të skuqur, të ndezur si në gjak, të zvogëluar, sikur nuk kishte vënë gjumë në sy prej disa netësh. Në dorën e majtë mbante syzet me xhama si në të jeshilë. Dukej se ai nuk e duronte dritën… Përshëndeti krejt i hutuar, me kurriz ë përkulur, ndërkohë që të gjithë të pranishmit, me dorën e ngritur lart, do të thërrisnin: “Heil mein Fyhrer!”. Sikur i dhembte i gjithë trupi, ai do të lëshohej në kolltuk si një thes i rëndë dhe do të vinte të dyja duart mbi gjunjë. Mbrapa do të qëndronin Krebs dhe Bormann. Ndenji gjatë pa folur, vetëm duke e ngritur kokën herë majtas e herë djathtas, me sy krejt pa jetë”

Ndërsa për atë takim, gjenerali Heinrici do të shkruante: “Hitleri dukej si një burrë që nuk do të kishte jetë më shumë se 24 orë. Ai ishte një kufomë që nuk e di se si mund të qëndronte. Flokët i kishin rënë mbi ballë dhe shikimi i tij ishte fare i pakuptimtë. Unë nuk e ndjeva fare dorën e tij kur më përshëndeti… ai nuk kishte as fuqinë më të vogël për ta shtrënguar”

(Burime amerikane, lidhur me shëndetin e Hitlerit në muajt e fundit të luftës, tregojnë se gjendja e përkeqësuar shëndetësore e Hitlerit nuk ishte pasojë e plagosjes që pësoi nga atentati me bombë më 20 korrik 1945. Mbas lufte, ushtria amerikane do të merrte si robër disa mjekë që i kishin shërbyer Hitlerit, që nga ardhja e tij në fuqi. Asnjëri prej tyre nuk ishte në gjendje të përcaktonte një shkak kryesor të gjendjes së tij shëndetësore. Por, nga ana tjetër, të gjithë ishin të të njëjtit mendim se kjo ishte pjesërisht gjendje tepër e rënduar psikike, edhe pjesërisht e mënyrës së jetesës. Hitleri pothuajse nuk flinte fare… ai e dallonte shumë pak natën nga dita. Barnat që ai pinte, ia përgatiste mjeku Morcell, dhe përdorimi me shumicë i tyre po e çonin drejt një helmimi. Përdorte simulantë misteriozë që përmbanin morfinë, arsenik, strishninë, të gjitha një mrekulli droge (wunderdrogen) që ia përziente ky mjek.)

Mbledhjen do ta hapte gjenerali Krebs që do t’ia jepte fjalën gjeneralit Heinrici që “të raportonte dhe të kthehej sa më parë në frontin e tij”. Gjenerali do t’i drejtohej Hitlerit: “Fyhreri im, unë duhet t’ju them se armiku po përgatitet për një sulm të pazakontë… në Odër ishte shumë e vështirë të përballesh me ushtrinë e armikut, që është e gatshme për të sulmuar në shumë drejtime njëherësh. Unë nuk jam gjithashtu dakord me atë që është thënë se Frankfurti është një kështjellë, siç jua kanë raportuar dhe juve, Fyhreri im. Armata e 9-të ndodhet në zonën më të dobët të frontit, afër Frankfurtit… Ajo është e paarmatosur siç duhet. Unë mendoj se në duhet të lëshojmë mbrojtjen e Frankfurtit dhe të tërheqim trupat tona prej aty”

Të pranishmit nuk ishin mësuar të flitej aq hapur para Hitlerit. Ata do të habiteshin se Heinrici po e paraqiste situatën të pashpresë dhe se nuk do të kishte aspak besimin e Fyhrerit për fitoren ndaj trupave armike.

Hitleri, krejt i heshtur, i hutuar, dukej sikur nuk ishte fare aty e sikur nuk ishte aspak i interesuar për sa po flitej. Ai vetëm hidhte nganjëherë vështrimin sa te njëri gjeneral te tjetri, pa asnjë reagim dhe pa u lënë të kuptonte asgjë edhe atyre se çfarë mendonte.

Dhe gjenerali do të vazhdonte në heshtjen e të gjithëve që kishin mbetur si të ngrirë: “Fyhreri im, me ndershmëri jam i bindur se do të ishte e zgjuar dhe e arsyeshme të lëshonim mbrojtjen e Frankfurtit”

Hitleri do të përmendej dhe do t’i drejtohej gjeneralit Krebs me një zë, që thuajse nuk dëgjohej: “Unë gjykoj se mendimi i gjeneralit për Frankfurtin është i drejtë. Përgatisni urdhrat e nevojshëm dhe m’i sillni menjëherë!”

Papritur, në sallë do të hynte i plotfuqishmi, marshalli Herman Göring. Ai do të përshëndetej me Hitlerin dhe do të ulej pranë tij. Me zë të ulët do të pyeste gjeneralët Dönitz dhe Krebs për raportimin e Heinricit. Do të merrte fjalën për ta kundërshtuar gjeneralin për ato që kishte thënë për Frankfurtin, i mbështetur me të dyja duart mbi tavolinë, me kokën e ulur, por do të ndërpritej krejt papritur nga Hitleri, që do të ngrihej në këmbë. “Para syve tanë, – do të shkruajë koloneli Eismann, – u ngrit një bishë e egër, e tërbuar: Kështjellat përherë kanë kryer misionin e tyre në këtë luftë… Kjo është provuar në Posen, Breslau dhe në Schneidemüh! Sa rusë u vranë aty?…Tani disa nga këto kështjella po mbahen deri në ushtarin e fundit. Historia mua më ka dhënë gjithnjë të drejtë dhe urdhri im për të mbrojtur një kështjellë deri në fund, është shumë i drejtë. Prandaj, Frankfurti do të vazhdojë të mbajë statusin e tij si një kështjellë…”

(Vetëm pak minuta kishin kaluar kur Hitleri kishte folur krejt ndryshe dhe kishte porositur për t’i bërë gati urdhrin për të lëshuar Frankfurtin.) As tani, asnjëri nga gjeneralët nuk do të fliste, ashtu siç nuk kishin folur më parë. Ata vetëm kishin miratuar me kokë çka kishte thënë Fyhreri…

Koloneli Eismann do të vazhdojë të përshkruajë në ditarin e tij këtë moment të ri të Hitlerit: “Ai dridhej në të gjithë trupin… Në duar mbante, pa vetëdije, disa lapsa që i binin mbi tavolinë dhe i merrte përsëri dhe i rrotullonte nëpër duar. Çdo gjë tek ai ishte e pakuptimtë, e pavërtetë… dhe mendimi më i tmerrshëm ishte se fati i popullit gjerman, ishte në duart e këtij njeriu shkatërrimtar”.

Papritur, Hitleri do të vështronte gjeneralin Heinrici dhe do ta pyeste se si e vlerësonte ai komandantin e Frankfurtit, kolonelin Bieler. Heinrici do t’i përgjigjej se “ai ishte një oficer me përvojë dhe ku mund të mbështeteni… Ai ka treguar përherë aftësi në front…”. Mbas kësaj, Hitleri do të urdhëronte që koloneli Bieler të vinte menjëherë në bunker. Ndërsa gjenerali Heinrici kishte marrë goditjen e radhës nga Hitleri për ato që kishte thënë për Frankfurtin. Gjenerali e kishte vlerësuar kolonelin Bieler para Hitlerit, ndonëse nuk e njihte për aq të aftë sa e paraqiti. Ndryshe, në ato momente krize të Hitlerit, koloneli do të mund ta pësonte keq.

Në sallën e mbledhjeve do të shpërthente përsëri një debat: Gjenerali Heinrici do të merrte fjalën dhe do t’i drejtohej Hitlerit: “Fyhreri im, unë nuk besoj se trupat tona në frontin e Oderit do të jenë në gjendje të pengojnë sulmin e pallogaritshëm rus… Sidomos, më shqetëson gjendja e divizionit të 9-të parashutist. Oficerët dhe nënoficerët e këtij divizioni janë në pjesën më të madhe, njerëz të administratës,… të patrajnuar në drejtimin e luftës…”

Marshalli Göring, duke i marrë leje Hitlerit, do të shpërthente: “Trupat e mia parashutiste… Ju flisni për trupat e mia parashutiste? Ato janë trupat më të mira… nuk ka më të mirë se ata… Unë nuk i pranoj këto vërejtje të pabazuara. Unë personalisht garantoj për forcën time luftarake”

Hitleri, duke iu drejtuar thjesht me dorë gjeneralit Heinrici, i dha përsëri fjalën për ato që tha Göringu. Gjenerali do të shpjegonte se “nuk kishte për qëllim të nënvleftësonte trupat që komandoheshin nga marshalli Göring, por se ishte fakt që ato ishin pa përvojë ushtarake dhe të patrajnuara… Jam i bindur se nga goditjet e artilerisë, ato do të pësonin shok…

Hitleri do të ndërhynte duke thënë se ka shumë kohë përpara dhe ato mund të trajnohen mirë. Më tej, ai do t’i drejtohej gjeneralit: “A e dini ju se edhe rusët luftojnë me trupa të nivelit të dytë? Stalini tani është në fundin e forcave të tij dhe mbështetet vetëm tek ushtarët-skllevër, që kanë një aftësi shumë të kufizuar…”.

Të gjithë të pranishmit, e në mënyrë të veçantë Göringu, do të mbështetnin Hitlerin, duke e miratuar me kokë…

Pra, trupat ruse qenkëshin ushtarë-skllevër, që do të mundeshin lehtë!

Me guxim, gjenerali Heinrici do të merrte përsëri fjalën: “Fyhreri im, duket se ju informojnë plotësisht gabim… trupat ruse janë shumë të forta dhe me aftësi të lartë goditëse… Unë po them të vërtetën e plotë. Nga sulmet që ne presim nga ushtria ruse, secili nga divizionet tona do të humbasë nga një batalion çdo ditë. Kjo do të thotë që çdo javë ne do të humbasim një divizion të tërë. Këto humbje ne nuk mund t’i zëvendësojmë vetëm në disa ditë… Pastaj, fronti ynë do të shkatërrohet. Kjo është e vërteta!”

Kjo ishte një deklaratë shumë e fortë, për të mos thënë se, fare mirë, mund të kuptohej si kapitulluese. Gjenerali kishte folur me guxim dhe realizëm. Ajo ishte gjendja e vërtetë. Ai ishte një ushtarak besnik i Hitlerit. Ai edhe kishte vrarë në Rusi, në Moskë në Stalingrad, në Budapest. Ishte edhe ai që nuk kishte pranuar të zbatonte urdhrin për Tokën e Djegur në Stalingrad. Ishte tërhequr i mundur, por nuk kishte pranuar edhe urdhrin e Göringut për të djegur çdo gjë në tërheqje, në Stalingrad e Budapest.

Dy vetë e kishin kundërshtuar zbatimin e politikës së Tokës së Djegur: gjenerali Heinrici dhe ministri Speer. Ky i fundit nuk e kishte pranuar urdhrin e Hitlerit për të mos lënë asgjë në këmbë në Berlin, për të djegur dhe shkatërruar gjithçka.

Speer ishte inxhinier dhe kishte ndërtuar shumë objekte të rëndësishme në Berlin. Ai kishte projektuar edhe godinën e re të Kancelarisë (Kryeministrinë).

Hitleri do të qëndronte i ulur sikur nuk ishte në atë sallë e nuk po dëgjonte çfarë fliste gjenerali, që në një mënyrë apo një tjetër, kishte paralajmëruar rënien e regjimit, shpejt, për çështje ditësh. Por ky mund të ishte edhe vetë fundi i gjeneralit, si disfatist,… aty në atë sallë, pa gjyq, me akuzën e tradhtisë së lartë.

Do të shpërthente përsëri marshalli Göring: “Fyhreri im, unë do t’ju vë në dispozicion menjëherë 100 mijë ushtarë të armës ajrore. Për pak ditë ata do të jenë në frontin e Oderit”.

Hitleri dukej se priste se kush do të mund ta shpëtonte, kush mund t’i jepte besim, shpresë. I zhytur në kolltuk, dukej edhe më i zvogëluar, më i pajetë. Duart i dridheshin pa pushim. Mjeku i tij do të sillte një tabletë dhe do t’i kërkonte ta pinte. Në sallën e mbledhjeve dhe në korridorin e mbushur me ushtarakë të lartë, kishte një heshtje varri. Fyhreri vetëm dëgjonte.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*