Sipas Daily Mail, financierit Jeffrey Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019 në rrethana ende të paqarta, i atribuohet menaxhimi i asaj që përshkruhet si “operacioni më i madh i shantazhit seksual në botë”. Në dokumentet e publikuara deri tani – mbi tre milionë faqe – emri i presidentit rus Vladimir Putin përmendet më shumë se një mijë herë.

Publikimi gradual i të ashtuquajturave Epstein files po nxjerr në pah një rrjet gjigant ndikimi dhe komprometimi, të ndërtuar ndër vite nga financieri amerikan, i dënuar për krime seksuale ndaj të miturve. Festa luksoze, takime private, favore, dhurata dhe një rreth i ngushtë personash shumë të fuqishëm nga politika, biznesi dhe aristokracia ndërkombëtare – gjithçka, sipas dokumenteve, ishte pjesë e një mekanizmi të mirëorganizuar.

Sipas burimeve të inteligjencës të cituara nga Mail on Sunday (dhe më pas nga Corriere della Sera dhe La Repubblica), Epstein dyshohet se është afruar nga shërbimet sekrete ruse me qëllimin për të mbledhur materiale komprometuese (“kompromat”) ndaj figurave kyçe të establishmentit perëndimor dhe lindor, për t’i bërë ato të shantazhueshme. Daily Mail e përkufizon këtë si një operacion shantazhi seksual në shkallë globale, ku joshja realizohej shpesh përmes grave të reja, përfshirë edhe shtetase ruse.

Kur flitet për KGB-në, nënkuptohet automatikisht Vladimir Putin, ish-kolonel i shërbimeve sekrete sovjetike dhe president aktual i Rusisë. Në dokumentet e publikuara ka 9.629 referenca për Rusinë dhe 1.056 përmendje të drejtpërdrejta të Putinit. Pretendohet se Epstein e ka takuar disa herë liderin e Kremlinit, madje edhe pas dënimit të tij të parë për krime seksuale.

Në disa mesazhe, Epstein mburret se mund t’i ofrojë Moskës informacione komprometuese për Donald Trump – një figurë që sipas mediave amerikane ka qenë pjesë e rrethit shoqëror të financierit. Këto kontakte, sipas dokumenteve, do të jenë realizuar përmes ambasadorit rus në Nju Jork dhe ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov, në prag të samitit Trump–Putin në Helsinki në vitin 2018. Në atë takim, Trump deklaroi se nuk kishte prova për ndërhyrje ruse në zgjedhjet amerikane, çështje që demokratët e kishin përdorur gjerësisht kundër tij.

Sipas të njëjtave burime, Epstein luante një lojë të dyfishtë: hiqej si mik i Trumpit, ndërsa i premtonte Moskës zbulime të sikletshme për ish-presidentin amerikan.

Në këtë histori të ndërlikuar shfaqet edhe figura e Robert Maxwell, babai i Ghislaine Maxwell – partnerja dhe bashkëpunëtorja e Epstein, e dënuar me 20 vjet burg për trafikim seksual të të miturve. Robert Maxwell, biznesmen i fuqishëm mediatik me origjinë çeke-hebraike, dyshohet se ka bashkëpunuar si me KGB-në ashtu edhe me Mossad-in, veçanërisht në transferimin e hebrenjve sovjetikë drejt Izraelit.

Londrës i takon një rol qendror në këtë rrjet. Aty del në pah edhe Princi Andrew, vëllai i mbretit Charles III, i përjashtuar nga familja mbretërore pas skandalit Epstein. Sipas dokumenteve, Epstein i kishte premtuar atij vajza të reja, përfshirë një “ruse të bukur dhe të besueshme” 26-vjeçare. Biografi i princit, Andrew Lownie, ka deklaruar se gra të reja nga Moska silleshin rregullisht për fundjava në rezidencat e tij. Lownie sugjeron se Kremlini mund të zotërojë materiale komprometuese për princin Andrew, të përdorshme për shantazh ndaj Familjes Mbretërore dhe, indirekt, qeverisë britanike.

Një tjetër emër i rëndësishëm është Lord Mandelson, figurë kyçe e New Labour dhe ish-këshilltar i Tony Blair-it, më vonë ambasador britanik në SHBA. Ai u detyrua të japë dorëheqjen në nëntor për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Epstein. Sipas dokumenteve, Epstein i kishte transferuar atij 75 mijë dollarë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*