
Nuk jam as kundër por as pro pastrimit të Pyllit të Sodës apo edhe qytetit nga institucionet e Vlorës. Nuk jam as pro që kryetari i Bashkisë apo kushdo të marrë fshesën, sepse ka një flotë të tërë pastruese të Ndërmarrjes së Pastrimit, NSHP-së dhe Gjelbërimit, apo edhe Drejtoria e Landfillit, që të gjithë bashkë tenderojnë tendera pa fund. Nuk jam pro sepse zonat e vijës bregdetare nga Hidrovori në Akërni deri në Orikum janë dhënë me tender një firme private, çfarë rëndësie ka?

Duhen parë me kujdes mënyrat e tenderimeve, pasi kontejnerët që u tenderuan janë më keq se ç’kanë qenë. Mund të shtohet numri i kontejnerëve, mund të tenderohet më shumë naftë për mjetet e pastrimit. Të dalin në punë të gjithë ata të cilët e kanë kthyer punën si pushime verore, 15 ditë në vit.
Nuk jam kundër që gjithë administrata të dalë e të pastrojë, por duhet ngulitur mirë në mendje që Drejtoria Përgjegjëse të bëjë punë përgjatë 24 orëve. Jo po hajt të dalim…
Tani edhe në ndihmë të policisë se nuk ka forca për makinat e parkuara… dalim në ndihmë të spitalit të ngasim ambulanca, edhe në ndihmë të IMT-së apo kujtdo për të parë kioskat e vendosura…
Kjo nuk duhet të bëhet rregull, por kryetari duhet t’u rrijë si çekan në kokë atyre që nuk e bëjnë punën siç duhet dhe të kalojë në kontroll tenderimet, nëse zbatohen apo jo.
PS: Kryetar, mos e kurse çekanin për ata që nuk e bëjnë punën siç duhet, por jam edhe kundër shkarkimit total, sepse ka njerëz që e bëjnë punën, në radhë të parë se kanë nevojë për rrogën dhe në radhë të dytë se e duan.punën dhe qytetin e tyre





