Nga Agron Brataj

Dy italianët e ndaluar në “Alligator Alcatraz” transferohen në Miami
Artese dhe Mirabella Costa tani ndodhen në një strukturë tjetër paraburgimi. Nëna e këtij të fundit: “Shpresoj që kjo histori të mbarojë sa më shpejt”. Familjarët kanë dërguar para dhe rroba

Konsullata italiane në Miami ka arritur të sigurojë transferimin e dy shtetasve italianë, Fernando Eduardo Artese dhe Gaetano Cateno Mirabella Costa, nga burgu i njohur me emrin “Alligator Alcatraz” në qendrën e ndalimit Krome në Miami, e menaxhuar nga agjencia federale amerikane ICE (Immigration and Customs Enforcement), përgjegjëse për çështjet e kufijve dhe emigracionit.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Jashtme italiane, e cila thekson se familjet janë informuar për zhvillimin. Sipas Farnesinës, familjarët kanë depozituar tashmë para në llogarinë e veçantë të të ndaluarve (“detainee account”), një sistem i ngjashëm me kartat parapagese që përdoren nga të burgosurit për të kryer shpenzimet e lejuara, përfshirë edhe blerjen e biletave të avionit për kthim në atdhe.

Mirabella Costa, përpara kthimit në Itali, do të duhet të paraqitet përpara një gjykatësi të emigracionit, i cili do të shqyrtojë akuzat që rëndojnë mbi të. Ndërkohë, Fernando Artese mund të kthehet në Itali shumë shpejt, pasi për të nuk është e nevojshme një seancë gjyqësore.

Familjarët e Mirabella Costës i kanë dërguar në qendrën Krome veshjet dhe sende të tjera personale, të cilat do të mbahen nga autoritetet e ICE deri në momentin e nisjes. Për njërin prej të ndaluarve, të cilit i kishte skaduar pasaporta, është lëshuar një dokument i ri i përkohshëm nga autoritetet italiane, i cili është pranuar nga autoritetet e Floridës dhe do të përdoret për të përshpejtuar procedurat e dëbimit.

Nëna e Gaetano Cateno Mirabella Costës, zonja Rosanna Mirabella Costa, deklaroi:
“Konsullata më informoi për transferimin e djalit tim nga Alligator Alcatraz në qendrën Krome. Nuk kam pasur mundësi të flas me të, por shpresoj që kjo histori të përfundojë sa më shpejt.”

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*