Nga Agron Brataj
Elona Hasanaj. Legjenda që nuk u largua kurrë nga sporti dhe Vlora
Në një kohë kur dorëheqjet nga drejtuesit e Bashkisë së Vlorës u bënë tituj lajmesh të përditshme, një dorëheqje tjetër kaloi pa bujë, por me shumë dinjitet. Elona Hasanaj, një nga figurat më të ndritura të sportit vlonjat dhe kombëtar, zgjodhi të dorhiqej e para, edhe pa i’u kërkuar zyrtarisht, duke dhënë një shembull fisnikërie, dinjiteti dhe përgjegjësie. Fatmirsisht dorheqja e saj nuk u pranua
Por le ta themi troç: Elona nuk është problemi i kësaj katrahure të stisur nga paaftësia dhe indiferenca e të tjerëve. Ajo ka qenë gjithmonë aty .aty ku ka pasur nevojë reale, jo aty ku ka pasur pushtet apo lavdi të momentit.
Ajo ishte aty kur Pallati i Sportit kërkonte ringritje, kur muret e lodhura të një simboli sportiv kërkonin zë dhe frymë të re.

Ishte aty si trajnere, edhe për më të vegjlit, kur të tjerët mbase nuk e shihnin këtë punë si “pozicion”. Ishte aty kur basketbolli i femrave kishte nevojë për një udhëheqëse, për një motivuese, për një profesioniste që nuk trembej as nga mungesa e fondeve, as nga mungesa e vëmendjes, dhe aq më pak nga vështirësitë.
Elona ishte aty pa orar, pa kushte, shpesh edhe pa mbështetje, duke lënë pas dore familjen dhe fëmijët e saj, por kurrë pasionin për sportin dhe dashurinë për qytetin e saj.
Ajo ka qenë zëri dhe fytyra e sportit vlonjat në vitet e vështira, kur askush nuk dilte përballë problemeve, kur sporti jetonte më shumë nga kujtimi sesa nga realiteti.
Ka qenë gjithmonë aty, qoftë kur festohej një titull kampion, qoftë kur duhej ngritur morali pas një humbjeje.

Elona Hasanaj është një nga ato figura të rralla që nuk u lidh kurrë me pushtetin, por me përkushtimin. Nuk u shfaq për të marrë duartrokitje, por për të shërbyer.
Sot, ndërkohë që zërat bien, drejtuesit ndërrrohen dhe shumëkush kërkon të shpëtojë veten duke braktisur përgjegjësinë, Elona e dha dorheqjen me kokën lart, siç ka qëndruar gjithmonë në karrierën e saj të gjatë. Largohet me krenari, jo si dështim, por si shembull i rrallë për gjithë brezat.

Për këtë, Vlora i është mirënjohëse. Sporti vlonjat të është borxhli. Dhe historia do të të vendosë aty ku e meriton: mes legjendave të saj të vërteta.
Faleminderit, Elona Hasanaj!
Për gjithçka që ke dhënë, për gjithçka që ke qenë dhe për gjithçka që do të mbetesh. Një Emër që nuk fshihet dhe një Shembull që nuk harrohet.







