Nga një djalë Kanine

15 gusht 2025
Festa e Kaninës, edhe këtë vit, u shndërrua në një turp të hapur. Prej vitesh, ajo që duhej të ishte një ditë krenarie është kthyer në një farsë qesharake që vetëm poshtëron fshatin tonë. Poshtëron traditën, historinë dhe kujtimin e atyre që nuk jetojnë më. Poshtëron banorët që jetojnë këtu e ata që janë larg, por që zemrën e kanë te Kanina.

Kjo festë nuk ka më asgjë të shenjtë. Ajo është turpi i përvitshëm që mbulon të mëdhenj e të vegjël. Është një shuplakë për çdo kaniniot që punon e kontribuon gjatë gjithë vitit, financiarisht apo moralisht, për të mbajtur gjallë emrin e fshatit. Organizatorët, sado që shfaqen në skenë e hiqen si përfaqësues, nuk janë gjë tjetër veçse figurina kalimtare, të ulura përkohësisht në karrige bosh. Turpi i tyre do shuhet me ta, por turpi i lënë pas do të rëndojë mbi fshatin dhe mbi emrin e tij.

Kalojnë vitet, dhe gjithçka përkeqësohet. Brezat ndërrohen, por festa ngec në vend, e ngurtësuar në një model të vjetër e të mykur, si në kohën e komunizmit. Nuk dëgjohet komuniteti, nuk respektohet mendimi i banorëve. Pushteti mbahet peng nga një grusht njerëzish arrogantë e të paarsimuar, që mendojnë vetëm për interesat e tyre personale.

Kanina nuk është pronë e askujt. Nuk është shtëpi private ku mblidhen miq e militantë partie për të mbajtur fjalime boshe që nuk lartësojnë as fshatin dhe as banorët e tij. Kjo festë është përdhosur dhe shndërruar në një cirk ku shfaqet padija, arroganca dhe etja për lavdi personale.

Ka ardhur momenti që kjo farsë të marrë fund. Mjaft më me turpin që na imponohet çdo vit. Është koha që banorët, brenda dhe jashtë Kaninës, të marrin në dorë fatin e tyre dhe të krijojnë një festë që u përket vërtet atyre, jo një shfaqje të mjerë për interesa të ngushta.


Kanina ka djem e vajza plot, ka breza të viteve ’90 dhe 2000 që sot ndihen të shtyrë mënjanë nga ata që duhet të ishin thjesht në qoshe, si gjyshërit që presin nipërit, mbesat dhe bijat e shtëpisë. Për fat të keq, kjo nuk ndodh. Përkundrazi, sot ata të rinj përjashtohen dhe në vend të tyre shfaqen hijet e vjetra që e kanë ngulfatur fshatin.

Nëse kjo nuk ndryshon, historia nuk do t’i mbajë mend as përfaqësuesit e rremë, as fjalimet e tyre boshe. Historia do të mbajë mend vetëm turpin që i kanë lënë Kaninës.

Me respekt për Kaninën,
Ali Dederaj
17.08.2025

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*