Nga Agron Brataj

SARANDË

 Një 59-vjeçar nga Finiqi është vënë nën hetim penal, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në një zonë me bimësi të dendur në malin e Finiqit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e datës 23 korrik 2025, rreth orës 21:30, dhe ka shkaktuar djegien e një sipërfaqeje të konsiderueshme me shkurre dhe bimësi.

Në njoftimin zyrtar të Drejtoris Vendore te Policisë Vlorë, bëhet me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ku ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. Ç., 59 vjeç, banues në Finiq.

Zjarrvënie me pasoja për mjedisin

Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas ka ndezur qëllimisht zjarr në zonën e njohur si “Mali i Finiqit”, duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje toke me bimësi të dendur dhe shkurre, çka ka rrezikuar seriozisht mjedisin dhe pronat përreth.

Policia thekson se falë ndërhyrjes së shpejtë është bërë e mundur lokalizimi dhe shuarja e zjarrit, duke shmangur përhapjen në një zonë më të gjerë.

 Apel i Policisë: Mos ndizni zjarre,pasojat janë penale

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë i bën apel të gjithë qytetarëve që të mos ndezin zjarre në asnjë rast, pasi përveç dëmeve që shkaktojnë në mjedis dhe ekonomi, veprime të tilla përbëjnë vepër penale dhe do të ndiqen me ashpërsinë e ligjit.

Gjithashtu, Policia fton qytetarët që të tregojnë përgjegjësi dhe të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje apo tentative për zjarrvënie, duke telefonuar në numrin 112 ose duke kontaktuar në Komisariatin më të afërt.

“U garantojmë anonimat të plotë dhe ndërhyrje të shpejtë e të paanshme, thuhet në deklaratën zyrtare.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*