Nga Agron Brataj
Në një kohë kur shumë klube përballen me paqartësi financiare dhe drejtues të përkohshëm, Flamurtari ka një tjetër realitet: një projekt afatgjatë, një vizion të qartë dhe një president që e ka kthyer sfidën në mision personal.
Sinan Idrizi, presidenti i Flamurtarit, ka vite që mban mbi supe një barrë të madhe, shpesh pa përkrahje institucionale, shpesh përballë intrigave dhe pengesave që vijnë nga brenda dhe jashtë. E megjithatë, ai jo vetëm që nuk është tërhequr, por është ngjitur me vendosmëri drejt rikthimit të lavdisë së dikurshme të klubit legjendar vlonjat.
Dy goditje të mëdha në horizont
Burime pranë klubit bëjnë të ditur se dy goditje të mëdha nga kampionate të Super Ligës europiane janë në përgatitje, ndërsa është shumë pranë finalizimit edhe afrimi i një mbrojtësi të majtë nga kampionati grek, aktualisht pjesë e PAS Janinës. Një emër që vjen në Vlorë me ndërhyrjen e legjendës së futbollit shqiptar dhe vlonjat, Vasil Ruci ,një tjetër simbol që tregon se Flamurtari po ringrihet mbi themele të forta.
Këto lëvizje nuk janë vetëm sportive, por edhe mesazh: Flamurtari nuk është më në ring për të mbijetuar, por për të fituar. Synimi është i qartë: kualifikimi në kupat e Europës.
“Një sfidë personale”
Në një deklaratë të fundit, Idrizi ka lënë të kuptohet se për të, kjo nuk është më thjesht një drejtim klubi. “E kam marrë si një sfidë personale. Flamurtari është histori dhe askush nuk do të mund t’ia fshijë emrin nga futbolli shqiptar”, është shprehur ai për miq të afërt, ndërsa në media u përfol gjerësisht për kontratën pa afat me Bashkinë e Vlorës.
E vërteta është që Sinan Idrizi ka investuar për vite me radhë në këtë klub pa përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, ndërkohë që ka mbajtur mbi supe përballjen me një nga federatat më të mbyllura e të politizuara në rajon.
Federata Shqiptare e Futbollit e cila shpesh shihet si armik i betuar i Flamurtarit, nuk e ka ndalur dot marshimin e këtij klubi, që vit pas viti ka rikthyer besimin dhe pasionin në tribunat e qytetit të Vlorës.
Rruga drejt Europës
Këtë sezon, investimet janë të mëdha dhe objektivat të qarta. Ekipi është ndërtuar për të dominuar, jo vetëm për të qëndruar. Tifozët janë rikthyer në stadium, emra të njohur janë afruar me skuadrën dhe energjia që rrethon klubin është ajo e ditëve të mëdha.
Flamurtari është sërish një emblemë. Dhe në qendër të këtij rikthimi qëndron një emër i vetëm: Sinan Idrizi.
Një rikthim që nuk ndalet me fjalë
Kur shumë zgjodhën të heshtin, ai foli. Kur shumë të tjerë u dorëzuan, ai luftoi. Dhe tani, Flamurtari është më pranë se kurrë rikthimit në arenën ku e meriton të jetë futbolli europian.
Historia vazhdon. Flamurtari ringrihet. Vlonjatët besojnë.





