Stadiumi “Flamurtari”, Pallati i Sportit, Pishina dhe aneksi stërvitor pritet të përfshihen në një projekt të ri rijetëzimi urban, të ngjashëm me atë të stadiumit kombëtar “Air Albania”. Plani parashikon shembjen e infrastrukturës ekzistuese dhe ndërtimin e një kompleksi modern sportiv, duke sjellë në Vlorë një stadium të ri, një pallat sporti në një vend tjetër dhe një parkim me sipërfaqe prej 6 mijë metrash katrorë, si edhe një kompleks banimi dhe shërbimi me rreth 200 mijë metra katrorë.
Një kompani private është angazhuar për projektin madhor, i cili sipas autoriteteve do të transformojë totalisht zonën dhe do ta vendosë qytetin bregdetar në një nivel tjetër të sportit dhe urbanistikës. Kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha, e mbështeti fuqishëm projektin, duke theksuar se në vend të një infrastrukture të rrënuar e të braktisur, Vlora do të ketë një stadium dhe një pallat sporti modern në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Megjithatë, debati nuk mungoi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Këshilltarët e djathtë, të udhëhequr nga Atird Hoxha dhe Gjergj Nika, e kundërshtuan fort projektin. Sipas tyre, qyteti në fakt humbet shumë më tepër sesa fiton, pasi i dorëzon truallin dhe pasuritë publike kompanisë private, ndërkohë që vlera reale për qytetarët është e diskutueshme.
Por, pavarësisht kundërshtive të opozitës, projekti u miratua me shumicën e votave në Këshillin Bashkiak, 30 pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.
Në qendër të debatit janë përmendur emra të njohur të biznesit. Sipas opozitës, ky është një projekt klientelist dhe biznesmeni Sinan Idrizi është paracaktuar si përfituesi final i tij. “Këtu merr Idrizi 40 mijë metra truall publik, pak më tej merr Zamiri 60 mijë metra. Kulla, kulla dhe vetëm kulla. Çdo biznesmen me nga një kullë nën sqetull. Çfarë po bëni kështu? E keni bërë portin e Vlorës që të vjen turp të zbresësh. Vendrojat e policisë janë kthyer në ‘kolibe’, të mbytura me ujë.
A nuk është ky ‘turp për qytetin’? Do të ndërtojë, le të ndërtojë, por të krijohen kushtet dhe të punohet normalisht,tha Hoxha.
Ky projekt pritet të jetë një nga më të mëdhenjtë në jug të vendit dhe të ndezë debatin për mënyrën se si jepen dhe menaxhohen asetet publike. Përkrahësit e shohin si një shans historik për transformimin e Vlorës, ndërsa kundërshtarët paralajmërojnë një tjetër “pazar të errët”, ku qyteti rrezikon të humbasë më shumë sesa të fitojë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*