Nga Agron Brataj
Dita e 10 gushtit ka shënuar një tjetër fluks të madh udhëtarësh në Portin e Vlorës, ku vetëm gjatë paradites kanë mbërritur 2.100 pasagjerë dhe 464 automjete përmes dy trageteve. Pasi përfunduan zbarkimet, një nga tragetet është kthyer bosh drejt Italisë, duke mundësuar një tjetër udhëtim të shpejtë. Në portin e Brindisit që ishte planifikuar të nisej me 227 automjete dhe 928 pasagjerë.
Trageti “Ionian Star”, me fuqinë e tetë motorëve të tij, mbërriti në portin e Vlorës në orën 22:00. Ndërkohë, gjatë ditës nga Porti i Vlorës janë larguar rreth 700 pasagjerë dhe 170 automjete në drejtim të Italisë.
Trageti i mbrëmjes kishte pothuajse të gjithë pasagjerët me automjete, çka krijoi për pak çaste kaos në rampat e zbarkimit, siç edhe dallohet nga pamjet e siguruara.
Pavarësisht temperaturave ekstreme dhe fluksit të lartë, porti ka funksionuar në mënyrë efikase falë angazhimit të jashtëzakonshëm të Policisë Kufitare. Vlen të theksohet puna e koordinuar dhe profesionale që ka bërë e mundur përpunimin e udhëtarëve dhe mjeteve në kohë rekord, duke shmangur vonesat, madje edhe duke rikuperuar vonesën e krijuar në portin e Brindisit.
Drejtori i Kufirit, z. Blendi Jaho, ka qenë prezent gjatë gjithë ditës në port, duke ndjekur nga afër çdo proces dhe duke udhëhequr me profesionalizëm organizimin e punës. Ai ka mbajtur nën kontroll të plotë procesin e daljes së pasagjerëve dhe automjeteve nga trageti, duke garantuar siguri dhe rrjedhshmëri në lëvizje.
Puna e Policisë Kufitare dhe drejtimi i z. Jaho janë shembull i përkushtimit dhe efikasitetit në menaxhimin e situatave me ngarkesë të lartë, duke e kthyer Portin e Vlorës në një pikë referimi për funksionimin e mirë të strukturave kufitare, edhe në ditët më të nxehta e sfiduese të sezonit veror.





