Oqeani Atlantik Jugor Icebergu gjigant A23a, dikur më i madhi në botë, është në fazat e fundit të ekzistencës së tij. Ai vazhdon të copëtohet dhe të humbasë masën e vet në afërsi të ishullit Georgia e Jugut, ndërsa rrotullohet rreth vetes dhe lëshon fragmente të mëdha akulli në det.
Pamjet më të fundit satelitore, të kapura më 14 shtator 2025 nga sateliti Aqua i NASA-s (përmes instrumentit MODIS), tregojnë qartë “piroetën” e fundit të A23a, shumë copa janë shkëputur dhe ndjekin rrjedhën e tij drejt oqeanit të hapur.
Ky proces i shpërbërjes ka nisur të përshpejtohet që nga muaji qershor-korrik 2025, kur u identifikuan ndarje të mëdha që rezultuan në formimin e icebergëve të rinj me emërtime si A23B, A23C, A23D, deri tek A23I dhe A23J.
Sipas një raporti të NASA EarthData, bazuar në imazhe të gushtit, A23a po bëhet gjithnjë e më i brishtë, bordet e tij janë bërë të dhëmbëzuara dhe të holla për shkak të përplasjes me dallgët dhe rritjes së temperaturës së ujërave përreth.
A23a u shkëput nga platforma e akullit Filchner-Ronne në vitin 1986 dhe qëndroi për dekada si një prej masave më të mëdha të lundrueshme të akullit. Megjithatë, aktualisht ai ka humbur statusin e “gjigantit më të madh” këtë titull tani e mban D15a, një tjetër bllok i madh akulli që po tërheq vëmendjen e shkencëtarëve dhe satelitëve.
Shkencëtarët e klimës dhe oqeanografët po e ndjekin nga afër këtë proces, pasi shpërbërja e icebergëve ka ndikim jo vetëm në mjedis, por edhe në qarkullimin oqeanik dhe nivelin e detit.





