
Rrezikojmë të arrijmë një numër të frikshëm rastesh.
Me festat e Krishtlindjeve po vendosim një bombë nëpër shtëpi.” Kështu paralajmëron infektologu Matteo Bassetti, duke komentuar situatën aktuale të gripit.
“Kemi rreth 5 milionë raste infeksionesh respiratore akute që nga fillimi i sezonit. Dhe duke qenë se ndodhemi në më pak se një të tretën e asaj që pritet të jetë bilanci përfundimtar i gripit, mund të them se jemi vetëm në fillim: më e keqja ende nuk ka ardhur. Është e besueshme që incidenca të rritet ndjeshëm edhe javën e ardhshme. Por pas Krishtlindjeve, me darkat dhe drekat festive në familje dhe me miqtë, virusi do të përhapet edhe më shumë.”
Sipas Bassetti-t, aktualisht qarkullon H3N2 me variantin K, i cilësuar si një “super grip”, sepse në thelb reziston ndaj vaksinave dhe imunitetit natyror. “Por nuk është vetëm kaq. Ka edhe shumë H1N1: në spitale po shohim raste të shumta të rënda me H1N1, me pneumoni dhe forma serioze. Prandaj është e drejtë të flasim për H3N2, por jo vetëm. Fatkeqësisht, së bashku me H3N2 është edhe H1N1, virusi tjetër i gripit A: së bashku ata konkurrojnë dhe krijojnë një përzierje shpërthyese.”
Kjo është analiza e Matteo Bassetti-t, drejtor i Sëmundjeve Infektive në Poliklinikën San Martino të Gjenovës, i cili ka komentuar për Rainews.it përditësimin e fundit të survejancës RespiVirNet.
Ky kombinim i viruseve të gripit, që po intensifikojnë aktivitetin e tyre, “është arsyeja pse ndodhemi realisht në një moment të ashtuquajtur ‘flunami’, pra një tsunami gripi që po godet të gjithë botën. Nuk ka asnjë vend të kursyer”, vëren eksperti.
Situata, sipas tij, mund të marrë përmasat e “një pandemie gripale të mirëfilltë, siç nuk është parë prej vitesh. E fundit që mbaj mend është ajo e vitit 2009”. Për Bassetti-n, sezoni aktual pritet të jetë “një nga më të këqijtë e 25–30 viteve të fundit”.
“Ndihemi sikur jemi vetëm në fillim: rastet do të rriten dhe situata do të zgjasë me shumë gjasa gjatë gjithë muajit janar, duke arritur një kulm shpresojmë në javën e parë ose të dytë të janarit. Por edhe më pas qarkullimi intensiv do të vazhdojë, ndoshta edhe në shkurt. Do të jetë një sezon i gjatë dhe shumë i vështirë.”
“Nuk mund të thuhet se nuk e kishim paralajmëruar, sepse që nga gushti kemi ftuar njerëzit të tregojnë kujdes për një sezon gripi të rëndë. Kush ka ditur të dëgjojë, është vaksinuar dhe është mbrojtur; kush ka bërë veshin e shurdhër, për fat të keq, po i vuan pasojat”, përfundon infektologu.




