Minneapolis.

Renee Nicole Good, shtetase amerikane, nënë e tre fëmijëve dhe poete, u vra në Minneapolis pasi u qëllua tri herë në kokë nga një agjent i ICE (Shërbimi Amerikan i Emigracionit dhe Doganave). Ajo kishte vetëm një vit që jetonte në qytet. “Ishte një shpirt i mirë”, tha nëna e saj, Donna Ganger, duke shtuar se e bija “ndoshta ishte e tmerruar” në momentet e fundit.

37-vjeçarja, me origjinë nga Kolorado, nuk kishte një histori të veçantë aktivizmi politik. Sipas familjarëve, ajo ishte një e krishterë e përkushtuar, e ndjeshme dhe e përqendruar te familja. Kishte studiuar shkrim kreativ në Old Dominion University në Virxhinia dhe në vitin 2020 fitoi një çmim të American Academy of Poets me poezinë “On Learning to Dissect Fetal Pigs” , një titull i pazakontë që i solli vëmendje në ambientet akademike.

Ende nuk është e qartë pse Renee ndodhej, pasi kishte çuar fëmijën e saj më të vogël në shkollë, në kryqëzimin e mbuluar nga bora mes rrugës së 34-t dhe Portland Avenue. Një nga hipotezat e para ishte se ajo po vepronte si “vëzhguese ligjore” e aktiviteteve të ICE, që po kontrollonte lagjen për emigrantë pa dokumente. Anëtarë të Këshillit Bashkiak të Minneapolis deklaruan se “ajo ishte një banore e qytetit tonë, që kujdesej për fqinjët, dhe u vra nga qeveria federale”.

Renee kishte ndryshuar mbiemrin nga Macklin në Good tre vjet më parë, si homazh për partneren e saj të re. E bardhë dhe bionde, ajo ishte martuar dy herë më parë. Pas divorcit nga bashkëshorti i parë i cili ka kërkuar anonimat për të mbrojtur privatësinë e fëmijëve adoleshentë,ajo mbeti e ve në vitin 2023, kur vdiq Tim Macklin, komedian dhe ish-ushtarak, me të cilin kishte edhe një podcast. Ai ishte babai i fëmijës më të vogël, i cili tani ka mbetur jetim nga të dy prindërit biologjikë dhe, sipas informacioneve, do të rritet nga gjyshërit nga ana e babait.

Në jetë, Renee kishte punuar si higjieniste e shëndetit mendor dhe më pas si arkëtare banke, por së fundmi ishte përkushtuar plotësisht rolit të nënës. Pas një qëndrimi në Kansas City, vetëm vitin e kaluar ishte zhvendosur në Minneapolis së bashku me partneren e saj aktuale.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë partneren duke bërtitur: “Sapo i kanë qëlluar gruas sime”, ndërsa po filmonte skenën jashtë automjetit. Ajo kishte vrapuar pas SUV-it me targa të Kansas City-t, kur Renee, tashmë e plagosur për vdekje, kishte shtypur gazin. “Është faji im. Unë i kërkova të vinim këtu”, dëgjohet të thotë ajo, e rrëzuar në tokë me qenin pranë. Ende nuk dihet nëse çifti banonte në atë zonë. “Kam një djalë gjashtëvjeçar në shkollë, jemi të reja këtu, nuk kemi askënd”, shtoi ajo, duke iu përgjigjur atyre që pyesnin kë mund të kontaktonin.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka rihapur debatin mbi veprimet e agjencive federale dhe sigurinë e qytetarëve në lagjet e Minneapolis.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*