Rebelët Huthi të lëvizjes Ansar Allah në Jemen kanë paralajmëruar një përshkallëzim të ri të operacioneve të tyre detare kundër Izraelit dhe aleatëve të tij. Në një deklaratë të bërë përmes televizionit Al Masirah, zëdhënësi ushtarak i lëvizjes, Yahya Saree, bëri të ditur se forcat e armatosura të Jemenit do të godasin çdo anije që i përket kompanive që bashkëpunojnë me portet izraelite  pavarësisht kombësisë, flamurit apo destinacionit të tyre  nëse këto ndodhen brenda rrezes së veprimit të raketave dhe dronëve Huthi.

Sipas Saree, është aktivizuar “Faza e Katërt” e asaj që ai e quajti bllokadë detare ndaj Izraelit. Kjo fazë synon zgjerimin e objektivave përtej anijeve izraelite për të përfshirë edhe çdo kompani ndërkombëtare që ka lidhje tregtare me portet izraelite.

Ai i bëri thirrje industrisë detare ndërkombëtare të ndërpresë çdo bashkëpunim me Izraelin, duke theksuar se sulmet do të jenë të pamëshirshme.

Huthitët po ashtu kërkuan që vendet e tjera të ushtrojnë presion mbi Izraelin për t’i dhënë fund ofensivës në Rripin e Gazës dhe për të hequr bllokadën ndaj enklavës palestineze.

Që nga përshkallëzimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit në vitin 2023, Huthitë janë përfshirë aktivisht duke sulmuar anije tregtare në Detin e Kuq dhe në Ngushticën Bab el-Mandeb.

Edhe pse pati një ndërprerje të përkohshme të sulmeve gjatë një armëpushimi në fillim të vitit 2025, pas prishjes së tij në mars, Huthitët rifilluan menjëherë operacionet, përfshirë përpjekje për të goditur objektiva në brendësi të territorit izraelit, si Aeroporti Ben Gurion.

Kërcënimet e reja vijnë në një kohë kur tensionet rajonale po rriten dhe siguria e rrugëve ndërkombëtare detare mbetet një shqetësim madhor për tregtinë globale.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*