Nga Agron Brataj

Katër persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti rëndë i plagosur në një aksident të rëndë automobilistik që ndodhi mëngjesin e sotëm në autostradën A4 Torino-Milano.
Një burrë rreth të tetëdhjetave, banues në Cerano të provincës së Novarës, hyri gabimisht në drejtim të kundërt në autostradë, duke u përplasur kokë më kokë me një automjet tjetër në kilometrin 102 të saj.
I moshuari, i lindur në vitin 1943 në Magenta, humbi jetën në vend. Në makinën tjetër udhëtonin katër persona, të gjithë banues në Novara.
Tre prej tyre, të gjithë burra, ndër të cilët një i lindur në vitin 1987 në Potenza, humbën jetën nga përplasja. Viktima e katërt është një grua e lindur në vitin 1988 në Trento, e cila ndodhet në gjendje shumë të rëndë në spitalin Niguarda të Milanos.
E plagosura, që u transportua me helikopter, është intubuar dhe aktualisht po trajtohet nga ekipi kirurgjik. Ajo ka trauma në kraharor si dhe fraktura në këmbë dhe në krah. Sipas raportimeve mjekësore, ndodhet në gjendje të qëndrueshme, por ende kritike.
Në vendngjarje ndërhynë menjëherë policia rrugore, shërbimet emergjente dhe zjarrfikësit. Pjesa e autostradës mes Novara Est dhe Marcallo është ende e mbyllur, ndërsa në rrugët alternative janë krijuar kolona të gjata dhe vonesa të mëdha në qarkullim.




