Inter në Champions mes drithërimash, Atalanta për herë të parë në Europën që vlen , jashtë mbetet Milani. Këto janë verdiktet e zonës së Europës në mbyllje të Serisë A. Festojnë zikaltërit ndërsa shpërthen në lot Empoli. Ajo që ndodhi në “San Siro” ishte një çmenduri e vërtete, Interi vuan shumë por mposht 2-1 Empolin dhe kualifikohet në Champions duke rrëzuar në Serinë B Empolin e Veselit. Në pjesën e parë zikaltërit përplasen tek portieri i Empolit Dragoëski ndërsa në fraksionin e dytë Keita zhbllokon sfidën në minutën e 51-të ndërsa 10 minuta më vone Icardi humbet penallti. Empoli ngrin të pranishmit në “San Siro” pasi barazon me Traore në të 76-tën por Nainggolan realizon 10 minuta nga fundi. Më pas Handanovic është super dhe Interi kalon në Champions mes drithërimash ndërsa Empoli i jep lamtumirën Serisë A. Gjatë javës pritet largimi i Spallettit dhe zyrtarizimi i Contes në pankinë.

Për herë të parë në histori në Champions do të luajë edhe Atalanta. Bergamaskët e mbyllën sezonin të tretët pasi mposhtën në ndeshjen e fundit Sassuolon 3-1 falë golave të Zapata ,Gomez dhe Pasalic. Në Champions shkojnë edhe Berisha e Gjimshiti me mbrojtësin që ka qënë një nga lojtarët kryesor në arritjen e suksesit. Jashtë Championit mbetet Milani. Kuqezinjtë megjithëse e bënë detyrën duke fituar në transfertë ndaj Spal 3-2 nuk e kishin fatin në dorën e tyre dhe do luajnë në Europa League sezonin e ardhshëm. Në ndeshjen ndaj Spal dy herë shënoi Kessie dhe një gol e shtoi Calhanoglu. Në Europa League do luajë edhe Roma që në ndeshjen e fundit fitoi 2-1 ndaj Parmës ndërsa Juventusi kampion e mbylli me humbje pasi u mposht 2-0 nga Sampdoria

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*