Romë, 13 nëntor 2025 – Qytetarët italianë mbi moshën 70 vjeç do të lirohen së shpejti nga detyrimi për të rinovuar kartën e identitetit. Lajmin e ka bërë të ditur ministri për Administratën Publike, Paolo Zangrillo, gjatë fjalës së tij në konferencën “Next Economy”, organizuar nga Giornale Radio.
Sipas njoftimit zyrtar të publikuar nga radioja, ndryshimi do të përfshihet në dekretin e ri të thjeshtësimeve, që pritet të paraqitet në Parlament në ditët e ardhshme.
“Në dekretin e ri do të përfshihet ndër të tjera edhe heqja e detyrimit për rinovimin e kartës së identitetit për personat mbi 70 vjeç, me qëllim që t’u lehtësohet jeta qytetarëve,” deklaroi ministri Zangrillo.
Ky ndryshim pritet të prekë një numër të madh qytetarësh të moshuar në Itali, të cilëve shpesh u është dashur të përballen me procedura të ndërlikuara për rinovimin e dokumenteve personale.
Ministria e Administratës Publike ka theksuar se objektivi i përgjithshëm i dekretit është thjeshtësimi i marrëdhënieve midis qytetarëve dhe institucioneve, veçanërisht për kategoritë më të ndjeshme të popullsisë.
Ndërkohë, në qarqet politike po diskutohet mundësia që masa të ngjashme të aplikohen edhe për lejet e qëndrimit për të huajt që kanë kaluar moshën 70 vjeç, për të shmangur burokracinë e panevojshme dhe për të lehtësuar jetën e emigrantëve të moshuar që jetojnë prej vitesh në Itali. Megjithatë, deri tani kjo është vetëm një hipotezë në shqyrtim, pa ndonjë dispozitë konkrete ligjore.





