EDITORIL NGA VANGJEL SAKO

 

 

Ardhja e pluralizmit politik në vendin tonë me sa duket nuk ka qenë një pjekuri e intelektualëve shqiptarë për të ndryshuar pozitivisht fytyrën e këtij vendi po paska patur faktorë të tjerë, të brendshëm dhe të jashtëm. Ky konkluzion bëhet bindës vetëm duke bërë një ballafaqim midis asaj që pritej të ndodhte tek ne pas këtyre ndryshimeve apo ajo që ndodhi në vendet ish-komuniste me gjendjen aktuale shqiptare. Duke qenë të fundit në ndryshimet politike në Europën Lindore ne shpresuam të ishim hallka e radhës në zinxhirin e demokratizimin shoqëror dhe politik dhe se nuk do të na duheshin dhjetëra- qindra vjet për të arritur nivelin e vendeve perëndimore, duke qënë se shembulli i tyre do ta shkurtonte këtë distancë kohore. Me sa duket ne kishim harruar mendësinë shqiptare të drejtimit që, kush kap qoshen e lëshon atë vetëm …kur largohet nga kjo botë.

Apo shprehjen e thënë nga një ish-kryetar partie se “shqiptarin nga kali e rrëzon vetëm plumbi”. Sot pas 30 vjet të ndryshimeve demokratike kjo duket fare qartë. Janë bërë kryetarët e partive shqiptare si plaku Mere në filmin e famshëm të Dritëro Agollit, interpretuar mjeshtërisht nga i paarritshmi Kadri Roshi. Kanë zënë qoshen e politikës shqiptare, tundin tespihet, kalojnë nga njëra anë e qoshes në tjetrën dhe as që duan t’ia dinë për Mëmëdheun e tyre. Këpusin si plaku Mere hera-herës ushkurin që mban tespihet dhe bëjnë lanet ndonjë bashkëpunëtor, por kurrë nuk e lëshojnë qoshen. Listoni dhjetë kryetarët e partive më të mëdha në vend dhe më tregoni se cili prej tyre shfaq apo interpreton në jetën partiake frymë demokratizimi dhe pluralizmi. Përveç Ramës që ia mori partinë Nanos, Mediut që ia bëri dhuratë partinë Godo i mençur dhe Dules që i ra bingo në drejtimin e minoritarëve të tjerët janë në krye qysh në startim.

Edhe këta të tre nuk kanë ndryshim nga të tjerët: sapo gllabëruan kreun e partisë nuk e lëshojnë për qamet të zotit dhe e kanë betonuar me hekur të fortë dhe çimento cilësore që nuk ka vinç ta shkulë. As duan t’ia dinë se siç ka shtëpia ca tjegulla ka edhe partia ca rregulla. Ka një statut ku përcaktohen jo vetëm të drejtat, por edhe detyrimet. Edhe në partitë tona e dinë rregullin e pashkruar që është Kushtetutë në çdo parti botërore demokratike që po humbe zgjedhjet je i detyruar nga morali jetësor të japësh dorëheqjen.

Më gjeni ju lutem një harakiri të tillë që ka ndodhur në vendin tonë. Më gjeni një dorëheqje të ndershme në këto 100 e ca partitë që gëlojnë në vendin tonë dhe unë do të gëzohesha se edhe në vendin tim ka pluralizëm politik. Shikoni me vëmendje se si me thonj e me dhëmbë këta kryetar partish të zgjedhur apo të emëruar e mbajnë fronin e drejtimit të subjektit të tyre politik a thua se vetëm ata i ka bërë nëna për të qenë drejtues. Nuk ndodh në asnjë vend demokratik të sotëm ajo që ndodh me kryetarët e partive tona, vetëm në tributë afrikane. Vetë drejtojnë, vetë bëjnë listat e deputetëve, vetë i zgjedhin kryetarët e bashkive, po vetë emërojnë ata që do jenë në “Komitetin Qendror të Partisë”, vetë vulos dhe vetë firmos.

Ku është fryma apo veprimi demokratik në vendin tonë pas ‘90? Asnjë ndryshim po çdo gjë si atëherë kur vendoste Enveri se ku do hapej një pus nafte, se kush do vinte në byronë politike, se kush…Të ishte mirë ashtu nuk ndodhte revolucioni demokratik. Mirëpo prodhimtaria e tij në këto 30 vjet është pa bereqet. Jemi mësuar edhe ne me udhëheqës të pagabueshëm dhe mjaftohemi vetëm duke dëgjuar akuza dhe kundërakuza që ata bëjnë me njëri -tjetrin dhe këtë e quajmë pluralizëm politik. Edhe të zgjedhurit mjaftohen me ngrohjen e kolltukut që ia jep kryetari dhe si zgalemi, zgurdullojnë sytë se kë do të rrjepin më parë dhe se ku është fitimi më i madh për atë dhe familjen e vet.

Në këtë histori ka edhe ngjarje negative që jo vetëm i ngjajnë atyre të para ’90, por edhe që nuk e lënë të gjallërojë fryma demokratike. Kushdo që del kundër frymës së kryetarit i priten duart dhe flaket jashtë partisë, ndonëse mund të ketë të drejtë. Shembujt e këtyre rasteve janë më së shumti në të dyja partitë e mëdha kur potencialet politike dhe intelektualët janë braktisur sapo janë shprehur edhe përciptazi kundër frymës së kryetarit. Kaq të fortë janë kryetarët e partive tona sa është e vështirë të ftosh në ekran ndonjë udhëheqës tjetër të subjektit politik, pa i marrë lejen kryetarit dhe është ky që do t’i mësojë të ftuarit çdo të shpreh në intervistë.

Kaq të fortë dhe të zgjuar i kemi kryetarët e partive tona politike sa që në mbledhjet që ata zhvillojnë, kur i zhvillojnë, nuk guxon askush të hedhë një ide të re zhvillimi dhe përparimi, por duhet të dëgjojnë monologun e kryetarit dhe të gjitha diskutimet do të bëhen në përkrahje të atij diskutimi. I keni parë kryetarët e partive tona kur shkojnë në takime të përgatitura apo edhe rastësore? Kush guxon nga ata që e shoqërojnë të bëjë edhe një hap më përpara? Askush.

Ky është shembulli më vulgar i totalitarizmit të këtyre kryetarëve, por që këtu fillon nënshtrimi i gjithkujt që do të mbijetojë në parti. Është kjo gjithëfuqi komanduese që edhe e kanë marrë vetë, por edhe që ua japin ata që rrinë rreth e rrotull këtyre kryetarëve të pagabueshëm që ata bëjnë ç’të duan dhe e kanë lënë Shqipërinë edhe pas 30 vjetësh më keq se ç’e gjetën. Kjo mënyrë drejtimi patriarkale si para 100 vjetësh ka sjellë edhe mbetjen pas të tjerave në rrugën drejt Europës ku të gjithë publikisht kërkojnë të venë, por mesa duket të gjithë i vënë rrota këtij rrugëtimi. Duhet një mendësi tjetër drejtimi për të gjetur rrugën drejt asaj Europe që ëndërrojmë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*