Nga Agron Brataj

Kanina është një nga ato fshatra që nuk ka nevojë për shumë fjalë për t’u prezantuar. Është fshati me tradita të lashta, vendi që ka nxjerrë burra zakoni, burra shteti, njerëz të urtë e të ndershëm, që kanë përfaqësuar Shqipërinë me dinjitet brenda dhe jashtë vendit.
Kanina nuk është thjesht një fshat. Është një simbol. Është toka që pret çdo vit me krenari festën e Pavarësisë, sepse është pjesë e drejtpërdrejtë e krijimit të shtetit shqiptar. Është fshati që ka qenë gjithmonë bashkë, në ditë të mira dhe në ditë të vështira, në luftra e në paqe, duke u mbështetur te njëra-tjetra, duke ruajtur traditat dhe vëllazërinë brez pas brezi.
Por çfarë po ndodh sot?
Pse në këtë fshat të shenjtë po futet përçarja?
Kush po e helmon bashkëjetesën mes kaniniotëve?
Fatkeqësisht, kjo përçarje nuk po vjen nga jashtë. Po lind nga brenda, nga disa njerëz që, ndonëse me prejardhje nga ky fshat, nuk kanë më sy të shohin përveç interesave të tyre. Janë ata që për shkak të pushtetit që kanë në dorë, mendojnë se mund të përfitojnë në mënyrë të paligjshme, të pasurohen duke grabitur tokat e Kaninës. Babëzia e tyre ka shkuar aq larg, sa arrin të ndajnë vëllezër me njëri-tjetrin, të ngjallin dyshime, të krijojnë armiqësi mes njerëzve që deri dje ndanin sofrën bashkë.
Të nderuar bashkëfshatarë të mi,
Unë jam biri i kësaj toke. I lindur dhe i rritur në Kaninë, mes jush, mes halleve dhe gëzimeve të përbashkëta. Ne e dimë kush jemi. Ne nuk jemi as njerëz që mashtrohemi lehtë, as njerëz që shesim tokën dhe dinjitetin për interesa të ngushta.
Prandaj sot, më shumë se kurrë, na duhet të qëndrojmë bashkë. Mos të biem pre e mashtrimeve. Mos të lejojmë që përfituesit me kostum pushteti të na ndajnë. Ata që po përpiqen të shesin fshatin tonë duhet t’i njohim me emra dhe t’i ndalim. Ata që duan të përçajnë Kaninën duhet t’u kujtojmë se ky fshat nuk thyhet kaq lehtë.
Ne kemi diçka më të fortë se çdo marrëveshje nën dorë.
Ne kemi traditën.
Kemi nderin.
Dhe mbi të gjitha kemi vëllazërinë.
Në ditë të vështira, Kanina ka ditur të bashkohet. Edhe sot do të jetë po kështu. Ne do të tregojmë se jemi një trup, një zë dhe një qëndrim. Tokat e Kaninës janë të kaniniotëve, jo të pushtetit, jo të klientëve të pushtetit.




