Nga Agron Brataj

Një ditë para mbledhjes së radhës të Këshillit Bashkiak të Vlorës, kryetarja e Këshillit deklaroi publikisht se projektvendimi për dhurimin e tokave në zonën e Kaninës do të përjashtohej nga rendi i ditës për shkak të mungesës së dokumentacionit të plotë nga ASHK.

Ky njoftim erdhi në mënyrë të beftë, pikërisht të dielën, kur administrata është jashtë funksionit. Pyetjet që lindin janë të shumta dhe të drejtpërdrejta.


Si është futur një projektvendim në rendin e ditës nëse mungojnë dokumentet ligjore shoqëruese? Kush ka firmosur mbi këtë dosje? Kush ka ushtruar kontroll ligjor për përputhshmërinë me ligjin? Dhe për më tepër  a është mbledhur Kryesia për të vendosur heqjen e kësaj pike nga rendi i ditës?

Sipas burimeve nga vetë Këshilli, Kryesia nuk është mbledhur dhe projektvendimi figuron ende si pika 5 në rendin e ditës për nesër. Çfarë do të thotë kjo? Që deklarata publike e bërë nga kryetarja nuk mbështetet në vendimmarrje institucionale.

Njoftim për të qetësuar mediat dashakeqe?

Në deklaratën e saj, kryetarja e Këshillit shprehet se po njofton për të qetësuar mediat dashakeqe. Ky formulim është shqetësues.


Cilat media konsiderohen dashakeqe?

Ato që i qëndrojnë ligjit dhe denoncojnë procedura të dyshimta?

Ato që raportojnë se i njëjti projektvendim është përpjekur të kalojë në Këshill dy herë dhe është rrëzuar?

Apo ato që rikujtojnë se nuk lejohet rishtrimi i të njëjtit projektvendim para se të kenë kaluar 6 muaj nga rrëzimi i tij i fundit?

Po ashtu, nuk duhet harruar se në Dëgjesën Publike me banorët e Kaninës, komuniteti u shpreh qartë kundër këtij vendimi. Pavarësisht kësaj, projektvendimi është rikthyer për diskutim, në kundërshtim me standardet e transparencës dhe përfaqësimit qytetar.

Ligji është i qartë, kompetencat gjithashtu

Sipas nenit 56 të Ligjit nr. 139/2015 për vetëqeverisjen vendore, kryetarja e Këshillit thërret dhe drejton mbledhjet, por nuk ka të drejtë të vendosë në mënyrë të njëanshme heqjen apo shtimin e pikave të rendit të ditës. Kjo është kompetencë ekskluzive e Këshillit si organ kolegjial, sipas nenit 53, pika 5 të të njëjtit ligj.

Çdo komunikim për “heqje nga rendi i ditës” jashtë këtij procesi është vetëm një deklaratë personale, pa fuqi ligjore.

Më shumë përgjegjësi, më pak alibi

Nëse projektvendimi për Kaninën është futur në mënyrë të parregullt në Këshill, përgjegjësitë janë të qarta. Dhe nëse po tentohet të tërhiqet në mënyrë të heshtur, në minutën e fundit, me qëllim për të shmangur reagimin publik, kemi të bëjmë me një përpjekje për të manipuluar opinionin dhe procesin vendimmarrës.

Këshilli Bashkiak nuk është as zyrë personale e askujt, as një tavolinë ku çdo vendim kalon me marrëveshje të fshehta. Ai është një organ përfaqësues që funksionon mbi bazën e ligjit dhe transparencës.

Nëse ka dokumente që mungojnë, dikush duhet të japë llogari pse dosja ka përfunduar në tavolinën e këshilltarëve. Nëse vendimi nuk ka kaluar më parë, dikush duhet të sqarojë pse rikthehet kaq shpejt. Nëse banoret e Kaninës janë shprehur “jo”, atëherë politika vendore duhet të reflektojë, jo të improvizojë.


albaniatimes.al

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*