Nga Agron Brataj

Kur shpërtheu historia e grabitjes në Kaninë, diku lart në radhët e pushtetit u pëshpërit, Iku Ermali, kreu punë.

Ermal Dredha, ish-kryetari i bashkisë së Vlorës, dha dorëheqjen në një akt që sqaroi publikisht, duke falënderuar qytetarët dhe bashkëpunëtorët e tij. Ishte një largim që u përjetua ndryshe nga shumëkush me statuse mirënjohjeje, me keqardhje, dhe me reflektim. Si gjithmonë, kur dikush bie nga karrigia, papritur na kujtohet t’i tregojmë dashurinë.

Por pas këtij kapitulli që duket se u mbyll me dorëheqjen e Dredhës, qëndron një histori më e madhe, ajo e tokave të Kaninës. Një betejë e vogël, por domethënëse, u zhvillua aty. Rreth 20 banorë protestuan për mbrojtjen e pronës së tyre. Në këtë betejë, Dredha,  biri i Kaninës  qëndroi i heshtur, por nuk hoqi dorë. Nuk e kaloi tokën, nuk e shiti, dhe në fund duket se ndëshkimi erdhi për të.

Mesazhi tashmë është i qartë për të gjithë: kur vijnë direktivat nga lart për zhvillim, për investime, për projekte strategjike, ato duhen zbatuar  dhe pa zhurmë. Jo rezistencë, jo protestë, jo zë.

Ermali nuk u fal, jo sepse kreu një shkelje, por sepse nuk e bëri atë që pritej prej tij. Sepse nuk heshti mjaftueshëm, ose nuk veproi siç i kërkua.

Në këtë histori nuk ra vetëm ai. U shkarkuan drejtues të tjerë, u lanë njerëz pa punë, pa shpjegime. Tani, shumë presin: kush është në radhë?

Po për Kaninën? Ajo sërish do të shitet. Jo për banorët e saj, por për panelet diellore. Për projekte që mbulojnë me fjalë të bukura atë që në thelb është zhvendosje, shpronësim, dhe fitim për të tjerë.

Tani është radha e kamikazëve të firmosin, nesër do të përballen me pasojat ligjore. Por kujt i intereson?

Dredha u kthye te familja. Mbase me ndërgjegje të qetë. Ai zgjodhi të mos bëhej pjesë e zhurmës, të mos shiste tokën e tij. Por historia e tij është një paralajmërim: në këtë vend, kush nuk hesht, paguan.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*