Agron Brataj

Punonjësit e Policisë së Shtetit, sipas VKM-ve në fuqi, duhet të përfitojnë pagesë mense ose rimbursim në lekë, si një e drejtë minimale për një kategori që mban mbi supe sigurinë publike. Por kjo e drejtë, në vend që të trajtohet me dinjitet dhe transparencë, është shndërruar ndër vite në një shembull të keqmenaxhimit dhe mungesës së ndjeshmërisë institucionale.

Pagat e policisë janë në nivele të ulëta, larg çdo standardi jetik, sidomos në një realitet ku çmimet e ushqimeve, energjisë dhe shërbimeve janë rritur me hapa gjigantë. Në këtë kontekst, mënyra se si është trajtuar çështja e mensës bëhet edhe më shqetësuese. Në vend që fondet t’u kalonin drejtpërdrejt punonjësve, ato u kanalizuan drejt një rrjeti supermarketesh, duke i detyruar efektivët të përdorin karta për të tërhequr disa produkte bazë si makarona, oriz apo vaj.

Edhe kjo zgjidhje e diskutueshme tani ka dështuar. Me ndryshimin e pronësisë së rrjetit të supermarketeve, marrëveshja nuk vazhdon më, ndërsa punonjësve të policisë u ka mbetur në dorë vetëm një kartë pa vlerë reale. Një simbol i hidhur i një politike që i trajton ata jo si shërbëtorë të shtetit, por si numra në një skemë burokratike pa përgjegjësi.

Skandalet, duket, nuk kanë fund. Problemi kryesor mbetet i njëjtë: deri kur do të vazhdojë kjo babëzi dhe kjo papërgjegjshmëri? A do të ketë ndonjëherë fund një modeli ku të fortët ekonomikë dhe vendimmarrjet e mbyllura përfitojnë, ndërsa polici i thjeshtë mbetet i pambrojtur? Dinjiteti nuk ushqehet me karta boshe dhe premtime të thyera. Ai kërkon veprime konkrete, drejtësi dhe respekt real për ata që çdo ditë mbrojnë rendin dhe ligjin.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*