Dekreti i presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit merr gjykimin e parë institucional. Kolegji Zgjedhor,( gjykata e zgjedhjeve) vendosi këtë të hënë të rrëzojë kërkesën e Idajet Beqirit, kryetarit të Partisë Uniteti Kombëtar për tu çregjistruar nga zgjedhjet. Me vendimin e marrë, pasi u dëgjuan palët, avokat Beqiri dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që më herët e kishte rrëzuar të njëjtën kërkesë, i jepet fund edhe përplasjes mes Kuvendit dhe Presidentit për ligjshmërinë ose jo të dekretit të Ilir Metës, për anulimin e zgjedhjeve.  Fakti që Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesën e Beqirit për të çregjistruar Partinë e Unitetit Kombëtar nga zgjedhjet, do të thotë se dekreti i Metës për anulimin e zgjedhjeve është i paligjshëm dhe për pasojë më 30 qershor do të ketë zgjedhje.

Njëjtë e përktheu këtë vendim edhe Idajet Beqiri menjëherë sapo u shpall vendimi i Kolegjit Zgjehdor nga trupa gjykuese me 5 anëtarët Astrit Kalaja, Ridvan Hado, Tomor Skerli, Artur Malaj dhe Lindita Sinanaj.

“Është një vendim i formës së prerë ne të drejtë ankimimi nuk kemi më. Jemi të detyruar ta zbatojmë këtë ligj. DO të thotë që më 30 qershor ka zgjedhje. Duke respektuar këtë vendim të Kolegjit, do t’i nënshtrohemi të gjithë rregullave për të vijuar garimin për kaq ditë sa na kanë mbetur. Thelbi i vendimit përsakohë rrëzohet kërkesa jonë do të thotë që më 30 qershor shqiptarët do të shkojnë në zgjedhje. Problemi është që drejt Unitetit shkohet me gjëra që janë ligjore, kushtetuese, që i kanë miratuar gjithë shqiptarët Në referendum kanë votuar një kushtetutë që duhet zbatuar. Po operove me mjete jo ligjore gjithmonë je i dështuar. Unë thash që përfaqësoj një subjekt politik, vlerësimet e ia për dekretin edhe këtu i bëra të qarta, është një dekret i pavlefshëm nga çdo lloj pikëpamje. Është luftënxitës për mua”, u shpreh Beqiri për gazetarin Arsen Rusta, menjëherë pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor.

Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe opozita pretendojnë se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është kushtetues dhe duhet të zbatohet nga të gjithë, ndërsa shumica e konsideron antikushtetues dhe për rrjedhojë ka nisur procedurat për shkarkimin e Presidentit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka njohur dekretin e kreut të shtetit, duke vijuar përgatitjet për zhvillimin e procesit zgjedhor në 30 qershor. Nga ana tjetër, opozita dhe Presidenca kanë kërcënuar anëtarët e KQZ me burg.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017, pas paktit Rama-Basha, dy palët ranë dakord për të shtyrë zgjedhjet me një javë. Vendimi i Presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve në 2017 u ankimua nga partia Forca Rinia, por Gjykata Kushtetuese deklaroi para dy vitesh, kur ende nuk ishte shkrirë nga Vetingu se kundërshtimi i dekretit të Presidentit, asokohe Bujar Nishanit, i cili ndryshoi datën e zgjedhjeve nuk ishte në juridiksionin e shqyrtimit nga Gjykatës Kushtetuese. Para dy viteve, Gjykata Kushtetuese deklaronte se sipas rastit, (në varësi të natyrës së kërkimit apo thelbit të mosmarrëveshjes) kundërshtimi i dekretit të Presidentit mund të jetë objekt i shqyrtimit nga gjykatat administrative apo në juridiksionin e Kolegjit Zgjedhor.

Në mbledhjen e Kolegjit Zgjedhor, Idajet Beqiri është shprehur se kundërshton vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që rrëzoi kërkesën e partisë së tij Uniteti Kombëtar për tu çregjistruar nga zgjedhjet dhe që PUK të hiqet nga fleta e votimit.  Pranë trupës gjykuese të Kolegjit Zgjedhor, Beqiri tha se dekreti i Presidentit ka çuar në një përplasje institucionale të cilën duhet ta zgjidhë Kolegji. Ai tha se nuk e bëri këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, pasi ky institucion e ka dhënë një vendim lidhur me shtyrjen e zgjedhjeve në rastin e vitit 2017, duke thënë se ky vendim nuk është kompetencë e tyre por e Kolegjit Zgjedhor. Kreu i PUK-së tha se elektorati është vënë në pozitë të vështirë me KQZ-në që vazhdon procesin zgjedhor dhe me presidentin që i ka anuluar me drekt ato. Një luftë me mullinjtë e erës, e ka quajtur Beqiri atë se çfarë po ndodh.

“Kemi qenë edhe parti parlamentare. Sot kemi 15 këshilltarë bashkiak, kemi dhe kryetarin e Këshillit Bashkiak Kukës. Nuk kemi qenë dakord me datën 30 qershor 2019. Kemi menduar që zgjedhjet duhet të ishin lënë më parë. U përgatitëm për këto zgjedhje. Prej 2001 ne nuk marrim asnjë lek nga buxheti i shtetit. Kur u caktuan zgjedhjet na pyetën. Për zhdekretim nuk na pyeti njeri dhe nuk u la një date tjetër zgjedhjesh. Ne jemi parti e unitetit kombëtar dhe Shqipëria me të gjitha pjesët e territorit të bashkohet. Ne kemi qëllim unitetin. Në rastin kombëtar ky unitet u cenua. E kur u vu mes dy zjarreve, KQZ thotë zgjedhjet më 30 qershor dhe presidenti thotë nuk ka zgjedhje. Elektorati ynë u vu në pozitë të vështirë. Kjo është si luftë me mullinjtë e erës. Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’ia çonim pasi kjo gjykatë e kishte thënë verdiktin e saj. Kërkesa jonë është të hiqemi nga fletët e votimit. Por KQZ pasi shqyrtoi kërkesën tonë u mor me shkakun përse ne bëmë padi. Shkaku i vetëm është dekreti presidentit. Është i vlefshëm apo jo ky dekret, deri sa Kushtetuesja e ka dhënë njëherë një vendim. Në këto kushte ne nuk kishim zgjidhje tjetër dhe e sollëm këtu. KQZ na thotë dekreti i presidentit është absolutisht i pavlefshëm. Presidenti thotë që këto janë zgjedhje moniste por në fletë ka 50 parti politike. Kolegji zgjedhor duhet të zgjidhë ngërçin e krijuar midis institucioneve më të larta të shtetit”, u shpreh Beqiri.

Në seancën e Kolegjit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se i qëndron vendimit të marrë për të mos pranuar kërkesën e Beqirit. KQZ tha se dekreti i presidentit është i pavlefshëm në shkelje të ligjit dhe nuk sjell asnjë pasojë.

“Partia Uniteti Kombëtar është regjistruar, kemi miratuar fletët e votimit dhe renditjen e partive në këto fletë. Fletët janë printuar. PUK renditet në fletë aty në ato bashki ku ka marrë pjesë. Kërkesa e Beqirit është e pabazuar në ligj dhe duhet rrëzuar. Legjislatori nuk e ka parashikuar tërheqjen me ligj. Heqja e një partie automatikisht do sillte asgjësimin e fletëve të votimit. Ky precedent do të banalizonte zgjedhjet”, u shpreh përfaqësuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Olsi Peto.

Njëzëri edhe përfaqësuesi i KQZ edhe Idajet Beqiri e kanë quajtur dekretin e presidentit Ilir Meta një akt adminsitrativ individual dhe jo kushtetues.

Artur Malaj, gjyqtar i Kolegjit Zgjedhor ju drejtua me pyetje juristit të KQZ-së duke u shprehur: Thoni që dekreti i presidentit është i pavlefshëm. Si e konsideroni dekretin e presidentit? Çfarë natyre ka kushtetuese, administrative?

Juristi i KQZ: Është akt administrativ individual

Artur Malaj: Ju z.Beqiri dekretin çfarë akti e konsideroni?

Beqiri: Nuk është në natyrën time të bëj intepretim. Për këtë u jemi drejtuar ju. Dekreti i presidentit është akt individual administrativ sipas vlerësimit tim si jurist dhe avokat.

Juristi i KQZ: Nëse presidenti do kishte nxjerr dekret më datë të re atëherë do ishte në rregull. Presidenti ka kompetencë për të caktuar datë jo për të anuluar zgjedhjet.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*