Përgatiti Agron Brataj


Presidenti amerikan Trump: “Na duhet për sigurinë kombëtare, dhe Danimarka nuk do të mund ta menaxhojë”

Kryeministri i Grenlandës, Jens Frederik Nielsen, ka deklaruar pas kërcënimeve të përsëritura të presidentit të SHBA, Donald Trump, për aneksimin e territorit autonom danez, se: “Mjaft më me presione. Mjaft me aludime. Mjaft me fantazi për aneksim.

Ne jemi të hapur për dialog. Jemi të gatshëm për diskutim, por kjo duhet të ndodhë nëpërmjet kanaleve të duhura dhe me respekt të plotë për të drejtën ndërkombëtare.” Këtë  mesazh ai e postoi në Facebook.

Nga ana tjetër, Trump ka ripërsëritur qëndrimin e tij lidhur me Grenlandën, duke theksuar se për SHBA është një çështje sigurie kombëtare. “Ne kemi nevojë për Grenlandën nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje ta menaxhojë atë,” tha ai për gazetarët gjatë një udhëtimi me avionin presidencial Air Force One.

Në lidhje me këtë çështje, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, theksoi se është e rëndësishme që Bashkimi Evropian të marrë një qëndrim të qartë për të garantuar pavarësinë e një territori që është pjesë e Kurorës Daneze, duke shtuar se “duhet të shohim çfarë do të ndodhë me qëllimet e vërteta të Trump për Grenlandën.”

Tajani gjithashtu foli për rëndësinë e forcimit të sigurisë evropiane, duke e cilësuar atë si një qëllim të rëndësishëm për të ardhmen. Ai shtoi se duhet të ekzistojë një “mbrojtje evropiane” që do të kalonte përtej thjesht koordinimit dhe që do të përfshinte edhe fushën e sigurisë kibernetike.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*