Përgatiti Agron Brataj

Katër astronautë kanë nisur kthimin e parakohshëm nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) për shkak të një problemi shëndetësor të njërit prej tyre, i cili nuk mund të trajtohej në orbitë.

Astronautët e NASA-s Zena Cardman dhe Mike Fincke, astronauti i JAXA-s (Agjencia Hapësinore Japoneze) Kimiya Yui, si dhe kozmonauti rus i Roscosmos, Oleg Platonov, kanë lënë ISS-në dhe janë në rrugë drejt Tokës rreth një muaj më herët nga sa ishte planifikuar. Kjo është evakuimi i parë mjekësor nga stacioni hapësinor që prej vendosjes së tij në orbitë në vitin 1998.

Ekuipazhi pritet të zbarkojë në Oqeanin Paqësor, pranë bregut të Kalifornisë, në orën 3:41 të mëngjesit sipas orës së Bregut Lindor të SHBA-së (12:41 me orën e Shqipës), të enjten më 15 janar.

Misioni SpaceX Crew-11 u ndërpre për shkak të një problemi shëndetësor të njërit prej astronautëve. Agjencia hapësinore nuk ka dhënë detaje mbi identitetin apo natyrën e problemit, për arsye privatësie, por ka bërë të ditur se gjendja e tij është e qëndrueshme dhe po monitorohet vazhdimisht.

Katër astronautët kishin mbërritur në ISS më 1 gusht dhe ishte planifikuar të qëndronin për rreth gjashtë muaj e gjysmë, me kthimin e parashikuar për mesin e shkurtit. Pas largimit të tyre, kontrolli i Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor i është kaluar kozmonautit rus Sergey Kud-Sverchkov dhe dy anëtarëve të tjerë të ekuipazhit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*