Agron Brataj

Prej disa ditësh, pas incidentit në Kuvend ku deputetja e Partisë Demokratike u ndje e ofenduar nga Taulant Balla me numrin “0900”, kjo çështje është kthyer pothuajse në sfidën e radhës të grupit parlamentar të PD-së për të kërkuar përjashtimin e Taulant Ballës për 60 ditë nga Kuvendi.
Pa dyshim që askush nuk mund dhe nuk duhet të ofendojë një grua, një nënë, aq më tepër nga salla e Parlamentit të Shqipërisë. Por duhet thënë edhe e vërteta tjetër: vetë Taulant Balla kërkoi ndjesë dhe u përpoq ta sqarojë duke thënë se numri “0900” përdoret në disa vende të Europës për shërbime telefonike dhe se gjithçka ishte një keqkuptim.
Por ndërkohë që politika merret me këtë debat, një realitet tjetër po ndodh në Tiranë. Albana ka mbushur muret e qytetit me parrulla dhe shkrime me fjalë të pista, pa menduar se ato lexohen nga të gjithë: nga gra, nga nëna dhe nga fëmijë që kalojnë çdo ditë nëpër rrugët e kryeqytetit. Ky është një veprim shumë i ulët për këdo, e aq më tepër për një grua që sot duket sikur ndihet krenare për këtë veprim.
Problemi i vërtetë nuk është më vetëm një debat për “0900”. Problemi i vërtetë është kriza e opozitës shqiptare.
Albana dhe figura të tjera të vjetra të opozitës nuk e kuptojnë se një nga fatkeqësitë më të mëdha të Shqipërisë janë pikërisht këto fytyra politike që e kanë katandisur opozitën më të urryer se vetë pushteti i korruptuar. Ata e kanë shndërruar opozitën në një strukturë që nuk ngjall më shpresë, me figura të konsumuara politikisht dhe po aq të përfolura për korrupsion sa edhe vetë maxhoranca.
Për sa kohë që jeni ju, e nderuar zonjë si grua, por jo e nderuar si politikane, opozita shqiptare nuk ngjall asnjë shpresë. Për sa kohë që jeni ju bashkë me pleqtë e padëshiruar nga bota dhe të shpallur “non grata”, për sa kohë që jeni ju bashkë me Flamur Nokën, këta komunistë të korruptuar që e kanë zënë shtetin nga koka nuk do të largohen kurrë nga pushteti. Nuk u bën më përshtypje asnjë skandal, sepse përballë tyre nuk kanë një opozitë të fortë, por një opozitë të konsumuar.
Kjo është arsyeja pse shqiptarët sot ndihen pa shpresë dhe të mbajtur peng nga e njëjta klasë politike që grindet për skandale dhe fyerje, ndërsa vendi vazhdon të vuajë nga korrupsioni dhe mungesa e alternativës.
Prandaj është koha për një akt politik dhe patriotik: lirojeni opozitën. Lërjani vendin një brezi të ri politikanësh, të pakonsumuar në politikë dhe të pakonsumuar në korrupsion. Vetëm kështu shqiptarët mund të shohin një alternativë reale dhe të përmbysin me votë këtë realitet që i ka mbërthyer prej vitesh.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për debate të pafundme për “0900”-ën e Ballës apo për parrullat në muret e Tiranës. Shqiptarët kanë nevojë për shpresë, për një opozitë të re dhe për një politikë që mendon për të ardhmen e vendit.




