Pergatiti Agron Brataj

Maduro u bën thirrje forcave politike dhe ushtarake të Kolumbisë për “bashkim të përsosur” me Venezuelën
Presidenti venezuelian Nicolás Maduro ka rilançuar një apel drejtuar “popullit të thjeshtë, lëvizjeve shoqërore, forcave politike dhe ushtarake” të Kolumbisë, duke i ftuar për një “bashkim të përsosur” me Venezuelën në mbrojtje të sovranitetit rajonal.
Deklarata u bë gjatë ceremonive përkujtimore për 195-vjetorin e vdekjes së Çlirimtarit Simón Bolívar, të mbajtura në Karakas, në selinë e Shoqatës Bolivariane. Gjatë fjalimit të tij, Maduro theksoi rolin simbolik dhe politik të Bolivarit në përballjen me presionet e jashtme.
“Bolívari është forca që ndal perandorinë: 195 vjet pas ‘mbjelljes’ së tij, ideali i tij është muri kundër atyre që sot ëndërrojnë të na pushtojnë”, deklaroi Maduro, duke skanduar parullën “Bij të Bolívarit, kurrë skllevër” dhe duke theksuar se “paqja ndërtohet me unitet”.
Sipas kreut të shtetit, në Venezuelë “qeverisin idetë e Bolívarit”, të cilat janë shndërruar në doktrinë politike, politika publike dhe plane zhvillimi.
Në fjalimin e transmetuar nga televizioni shtetëror Venezolana de Televisión (VTV) dhe nga Telesur, Maduro iu përgjigj edhe deklaratave të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka njoftuar një “bllokadë totale” ndaj cisternave të naftës venezueliane.
Presidenti venezuelian e cilësoi këtë masë si “të paligjshme dhe luftënxitëse”, duke siguruar se Karakasi do të vazhdojë të tregtojë lirshëm naftën e tij.
“Nafta dhe të gjitha pasuritë natyrore i përkasin vetëm popullit venezuelian”, u shpreh Maduro, duke akuzuar Uashingtonin se synon një ndryshim regjimi për të vendosur “një qeveri kukull”.
Në të njëjtën kohë, ai ripërsëriti refuzimin e çdo përshkallëzimi ushtarak, por denoncoi praninë dhe dislokimin detar të Shteteve të Bashkuara në Karaibe. Në këtë kontekst, Maduro bëri një tjetër apel “gran-kolumbian”, duke iu drejtuar posaçërisht ushtarakëve kolumbianë që, sipas tij, të mbrojnë së bashku sovranitetin e dy vendeve dhe “ëndrrën e Bolívarit”, duke refuzuar çdo përpjekje për përçarje apo ndërhyrje të jashtme.
albaniatimes.al




