Nga Agron Brataj

Merkato Napoli sfidon Interin dhe përshpejton për Hojlund: sulmuesi danez afër rikthimit në Serie A
Napoli ka hyrë fuqishëm në garë për Rasmus Hojlund, duke sfiduar Interin jo vetëm në fushë, por tani edhe në merkato. Sulmuesi danez i Manchester United është objektivi i madh i klubit zikaltër, por negociatat me anglezët janë bllokuar për shkak të formulës së transferimit. United kërkon një shitje përfundimtare, ndërsa Interi kishte propozuar një huazim me të drejtë ose detyrim blerjeje një skemë që nuk ka bindur drejtuesit e “Red Devils”.
Këtë situatë po përpiqet ta shfrytëzojë Napoli, që ka nevojë për një sulmues cilësor përkrah Romelu Lukakut, në prag të një sezoni të ngarkuar mes kampionatit dhe Ligës së Kampionëve. Klubi i Aurelio De Laurentiis ka kontaktuar tashmë me përfaqësuesit e lojtarit për të eksploruar mundësinë dhe kushtet e transferimit. Sipas burimeve të para, përgjigjet nga pala e lojtarit kanë qenë pozitive.
Hojlund është i tunduar nga ideja e të punuarit me trajnerin Antonio Conte dhe nga mundësia për t’u ribashkuar me McTominay në të njëjtin ekip.
Pas shitjes së Khvicha Kvaratskhelias në janar, Napoli ka likuiditetin e nevojshëm për të përmbushur kërkesat e Manchester United, i cili e ka vlerësuar Hojlundin me rreth 45 milionë euro shumë më e ulët sesa shuma prej 75 milionë + 10 në bonus që e bleu nga Atalanta në verën e vitit 2023.
Ndërkohë, Napoli mban nën vëzhgim edhe Lorenzo Lucca të Udineses (me çmim rreth 30 milionë euro, i konsideruar i lartë për një lojtar me përvojë të kufizuar në Evropë), si dhe Darwin Núñez të Liverpoolit. Megjithatë, Hojlund mbetet zgjedhja më interesante për shkak të përvojës ndërkombëtare dhe njohjes së mirë të Serie A.
Drejtori sportiv Giovanni Manna dëshiron të përfitojë nga ngurrimi i Interit, e cila sapo ka zyrtarizuar Bonny nga Parma dhe ka ende çështje të hapura me Taremin, për të tentuar goditjen përfundimtare dhe për të sjellë Hojlundin në “Diego Armando Maradona”.




