
Pas një nisjeje jo të mirë të sezonit, Milan është rikthyer te fitorja në Serie A duke mposhtur Lecce-n në transfertë me rezultatin 2-0. Suksesi i parë për kuqezinjtë vjen pas humbjes surprizë 1-2 ndaj Cremonese-s në javën hapëse, dhe megjithëse rezultati duket i pastër, rruga drejt tri pikëve nuk ishte aspak e lehtë.
Skuadra nga Milano dominoi ndeshjen në të dyja fraksionet e lojës, por përballë kishte jo vetëm një kundërshtar të organizuar, por edhe një VAR që ndikoi direkt në zhvillimin e lojës. Vetëm në minutën e katërt, Gabbia realizoi një gol të bukur me kokë, duke i dhënë shpresë tifozëve kuqezinj për një ndeshje të qetë. Por gëzimi zgjati pak, pasi pas rishikimit me VAR, goli u anulua për një faull të mëparshëm në zonë.
Edhe në pjesën e dytë Milan vijoi me të njëjtin ritëm dhe në minutën e 60-të Gimenez shënoi, por sërish goli nuk vleu, kësaj radhe VAR e anuloi për pozicion jashtë loje. Por 6 minuta më pas askush nuk mund ta ndalonte Loftus-Cheek për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij.
Katër minuta nga fundi vjen edhe goli i sigurisë, teksa Pulisic shënon të dytin, duke qetësuar edhe trajnerin Allegri në stol.




