Tre suksese të qeverisë shqiptare radhiti shefja e politikës së jashtme në BE, Federica Mogherini, krah kryeministrit Rama në konferencë për mediat. Reforma në drejtësi, të cilën e vlerësoi si shembull që duhet ta ndjekin edhe vende anëtare të Bashkimit Evropian, reduktimin drastik sipas saj të kanabisit, dhe goditjen e bandave dhe krimit.

Duke u ndalur tek situata e fundit politike, Mogherini i bën apel opozitës të mos i kthejë shpinën proceseve demokratike dhe qytetarëve të cilët i kanë votuar.

Përpjekja kolektive për çeljen e negociatave kërkon që të gjitha palët të jenë të bashkuara për integrimin evropian dhe duhen lënë mënjanë ndasitë. BE-ja e ka përsëritur qëndrimin e saj: partitë politike nuk duhet t’u kthejnë shpinën rolit të tyre, proceseve demokratike dhe qytetarëve që i kanë votuar. Qytetarët nuk duhen privuar nga zgjedhja e tyre për zgjedhjet e ardhshme vendore. Ky është një mesazh i fortë e i bashkuar nga të gjitha institucionet e BE, besojmë se këtë presin qytetarët ,ata duan që të gjitha partitë të mbështesin aspiratën e tyre ndaj BE. Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon me besim të lartë tek BE”, tha Mogherini.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogerini u pyet nga gazetarët shqiptarë në konferencën me kryeministrin Edi Rama nëse do të negocionte për të zgjdhur krizën mes partive politike. Ajo tha se roli i saj nuk është për të hyrë në negociata me partitë.

“Nuk është qasja jonë të bëjmë ndërmjetësime. Asnjëherë nuk hyj në ndërmjetësime ndërmjet partive politike në një vend të caktuar, qoftë brenda apo jashtë Be-së, këtë duhet ta bëjë politika e brendshme dhe roli i BE-së është të ketë marrëdhënie me të gjithë, dhe unë i përmbahem në mënyrë të rreptë. Nuk kam bërë negociata në 2017 as këtu dhe as në vendet e tjera”, tha Mogerini.

Edhe për kryeministrin Edi Rama, zgjidhja mbetet tërësisht në duart e palëve politike. Ai tha se personalisht ka qenë i interesuar për dialog. Megjithatë, Rama la të kuptohet se nuk ka më vend për 2017 të dytë, që sipas tij ishte maksimumi që një mazhorancë ka bërë për opozitën. Kujtojmë se në atë kohë lideri demokrat Lulzim Basha mori 6 ministra teknikë si kusht për të hyrë në zgjedhjet parlamentare.

“Negocimi dhe zgjidhja ka qenë tërësisht pjesë e palëve. Ne kemi qenë të interesuar për të mundësuar lidhjen e komunikimit. Unë mund të them dy gjëra. Nuk shoh askënd  të shqetësohet si në 2017 sepse ajo që ka ndodhur i kalon të gjithë kufijtë e të durueshmes. Ka ardhur koha që ne t’i qëndrojmë sistemit sepse rrugët për zgjidhje nuk na kanë ndihmuar që të rritemi më shpejt kështu që zgjedhjet e asaj natyre i kemi provuar. 2017 ishte maksimumi që mund të bëjë një mazhorancë për opozitën. Tani sistemi. Kush qëndron në sistem qëndron,të tjerët nuk duhet të pengojnë të tjerët”, tha Rama.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*