Për herë të parë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, hallka e parë e procesit të vettingut për prokurorët dhe gjyqtarët, ka kthyer sërish në shkollë një prokuror. Ky është vendimi i parë që merret për mungesë të theksuar profesionalizmi, si një nga tre hallkat vlerësuese për të kaluar shkallën e parë të vettingut, pastërtia e figurës, pasuria dhe profesionalizmi.

Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj, është i pari që ka hasur probleme vetëm me kriterin e profesionalizmit. Kolegë të tij të tjerë, por edhe gjyqtarë që nuk kanë kaluar në KPK me vendim pezullimi nga detyra, kanë pasur probleme me pasurinë ose pastërtinë e figurës. Ndërsa vetë Gokaj ka rezultuar korrekt në këto dy kritere, por çka e penalizion është profesionalizmi i tij.

Elvin Gokaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mori vendim me shumicë votash që prokurori Elvin Gokaj të ndjekë sërish Shkollën e Magjistraturës. Kështu, KPK vendosi të pezullojë për 1 vit prokurorin derisa ai të përfundojë studimet për të plotësuar kështu kriterin e profesionalizmit.

Nëse një prokuror ose gjyqtar ngel në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për probleme me pasurinë apo për lidhje me krimin etj, ai pezullohet me një vendim të parevokueshëm që bëhet i formës së prerë edhe nëse ankimohet dhe merret vendim nga shkalla e dytë e vettingut, Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Për herë të parë përballë një prokurori me probleme me aftësitë profesionale, KPK ka marrë vendimin për ta pezulluar atë vetëm me një vit, derisa ai të ribëjë Shkollën e Magjistraturës.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*