Nga Agron Brataj

Donald Trump kërkoi së fundmi anulimin “e menjëhershëm” të gjyqit për korrupsion ndaj Benjamin Netanyahut, duke e quajtur atë një “gjueti shtrigash” dhe duke e portretizuar si një “hero” të Izraelit. Por realiteti është shumë më i errët.
Netanyahu nuk është një hero për shumë njerëz në botë, ai përfaqëson një kriminel lufte. Ai është përgjegjës për veprime që kanë rezultuar në vrasjen dhe shfarosjen masive të civilëve palestinezë në Gaza, përfshirë mijëra fëmijë të pafajshëm.
Bombardimet pa dallim ndaj zonave të banuara, shkatërrimi i spitaleve dhe shënjestrimi i infrastrukturës civile janë krime që bien nën juridiksionin e ligjit ndërkombëtar. Shtimi i sulmeve të befasishme ndaj vendeve fqinje, përfshirë Iranin dhe Sirinë, e bën edhe më të qartë përshkallëzimin agresiv dhe rolin e tij si nxitës i një konflikti rajonal shkatërrimtar.
Në këtë kontekst, deklarata e Trumpit është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe një përpjekje për të mbrojtur dikë që duhet të mbahet përgjegjës para drejtësisë ndërkombëtare.
Nuk është momenti që liderët botërorë të luajnë avokatin e djallit. Është koha për drejtësi.
Nëse drejtësia ka vërtet kuptim, atëherë Netanyahu duhet të gjykohet jo vetëm për korrupsion, por për krime kundër njerëzimit. Dhe kushdo që përpiqet të heshtë këtë të vërtetë, bëhet bashkëfajtor në padrejtësinë që po ndodh para syve të gjithë botës.




