Ngjarja tronditëse që ndodhi para dy ditësh në një nga lokalet e qytetit të Vlorës ka ndezur opinionin publik në mënyrë të jashtëzakonshme. Një kamarier, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, është goditur me grusht nga dy persona të cilët mund të përshkruhen vetëm si gangsterë në miniaturë, të sigurt në mosndëshkimin që i garanton një sistem i kalbur nga brenda.

Pamjet filmike dhe dëshmitë janë të qarta, agresorët, pasi dhunuan kamarierin, nuk u larguan, por qëndruan rehat në ambientet e jashtme të lokalit, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ndërkohë, klientët e tjerë të tronditur nuk mund të largoheshin pasi askush nga stafi nuk dilte për të marrë pagesat. Lokali u morr peng, nën hundën e shtetit, që duhej të ishte aty për të ruajtur rendin dhe sigurinë.

Por pjesa më e rëndë e kësaj ngjarjeje nuk është vetëm dhuna fizike, por dhuna më e thellë që u ushtrua mbi ligjin dhe qytetarinë, mungesa e plotë e reagimit të Policisë së Vlorës. Dhjetëra telefonata janë bërë drejt komisariatit lokal, por patrullat që ndodheshin vetëm 100 metra më larg, në rrethrrotullimin e Skelës nuk lëvizën.

Pse? Kush i ndaloi? A u dha ndonjë urdhër? Apo policët thjesht nuk donin të “ngatërroheshin” kur dhunuesit ishin persona “të njohur”?

Kur pronari i lokalit vendosi të përballej vetë me agresorët dhe t’u kërkonte llogari pas 52 minutash pritjeje ngjarja përshkallëzoi. E gjithë kjo mund të ishte shmangur nëse policia do kishte bërë detyrën e saj.

Por jo vetëm që nuk ndërhyri, por më pas, e turpshme në paaftësinë e saj, u shfaq vetëm për të sekuestruar kamerat dhe për të ushtruar presion mbi gazetarët, që të mos publikojnë pamjet. Madje ka pasur edhe kërcënime të drejtpërdrejta, të cilat hedhin dritë mbi një kulturë shtypjeje që i ngjan më shumë një shteti autokratik, sesa një republike demokratike.

Po avokatët që dolën në mbrojtje të agresorëve? Disa prej tyre shfaqen në media për të mbrojtur cilindo që ka para qoftë ai dhunues, trafikant apo vrasës. Janë simptomë e së njëjtës sëmundje: drejtësia është për shitje dhe dhuna shpesh mbrohet më shumë sesa viktimat.

Shqipëria po mbytet nga antivlerat
Sot, Shqipëria është mbushur me gangsterë dhe njerëz banalë, ku shumë prej tyre kanë veshur edhe kostum zyrtari, politikani . Kjo është një shoqëri ku antivlerat ecin përpara me arrogancë, ndërsa intelektualët dhe njerëzit e ndershëm margjinalizohen dhe përbuzën.

Sistemi ka dështuar thellë. Ai nuk është më i ndërtuar për të mbrojtur qytetarin e thjeshtë, por për të garantuar paprekshmërinë e të fortëve. Prandaj, kjo nuk është më çështje e një rasti të izoluar. Kjo është një thirrje për ndryshim rrënjësor në gjithçka në polici, në drejtësi, në politikë dhe në vetë kulturën e pushtetit.

Është koha që hetimet të fillojnë nga lart
Ky rast nuk mund të reduktohet vetëm në dhunën ndaj një kamarieri. Ky është një rast i dështimit të një institucioni të tërë. Policia e Vlorës duhet të japë llogari. Kush ishte në turn atë natë? Pse nuk reaguan? Pse nuk ndërhynë për një orë të tërë kur vendngjarja ishte 2 minuta larg?

Në vend që të hetojnë dhe të kërkojnë përgjegjësi, autoritetet vendosin të fshehin. Por e vërteta ka dalë dhe publiku është i qartë: 98% e qytetarëve janë në krah të punonjësit që u sulmua dhe të pronarit që guxoi të reagojë, kur shteti u fsheh.

Drejtësia nuk është çështje luksit për të fortët. Ajo është detyrim i një shteti serioz ndaj qytetarëve të tij. Në këtë rast, shteti ka dështuar. Dhe ky dështim nuk duhet të mbulohet me heshtje.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*