Opinion:

Nga Agron Brataj

Ngjarja tragjike që ndodhi në Maliq, ku një i mitur humbi jetën si pasojë e goditjes me thikë nga një bashkëmoshatar, nuk është një rast i izoluar. Është një pasqyrë e qartë e asaj që po ndodh mes të rinjve sot, dhuna është kthyer në mënyrë komunikimi, ndërsa armët  për fat të keq  janë bërë më të aksesueshme se ndonjëherë më parë.

Përballë kësaj tragjedie, duhet të ndalemi dhe të pyesim. Si është e mundur që një fëmijë 14-vjeç ka arritur të blejë një armë të ftohtë pa asnjë pengesë?

Kush ia ka shitur? Kush e lejoi? Ku janë institucionet që duhet të parandalojnë këtë?

Në tregje, përballë të gjithëve  tregtarët shesin armë të ftohta si të ishin lodra

Në shumë qytete shqiptare, është bërë normale që në tregjet e hapura të shiten thika, bajoneta, dhe sende të rrezikshme pa asnjë kontroll. Mjafton të kesh para në xhep  askush nuk të pyet sa vjeç je. Asnjë dokument, asnjë verifikim. Tregtarët mjaftohen me fitimin e tyre, duke mbyllur sytë për pasojat.

Dhe kur një fëmijë vret një tjetër fëmijë me thikë të blerë në treg? Heshtje. Askush nuk mban përgjegjësi.

Kur armët janë kaq të lehta për t’u siguruar, nuk mund të habitemi nga pasojat

Në një realitet ku fëmijët mund të blejnë një thikë më lehtë se një libër, dhe ku rrjetet sociale përçojnë vazhdimisht mesazhe dhune dhe respekti përmes frikës, përplasjet nuk janë më fjalë. Janë plagë. Janë funerale.

E kemi kthyer tregun në armaturi për të mitur. E kemi lënë edukimin në dorë të TikTok-ut dhe Instagram-it. Dhe kur ndodh tragjedia, ngremë duart lart dhe themi:.Çfarë ndodhi?

Përgjegjësia është kolektive  por shteti ka detyrimin të veprojë

Kjo është një thirrje publike për çdo institucion përgjegjës:

Bashkitë. Hiqni menjëherë çdo pikë tregtie që shet armë të ftohta pa leje.

Policia bashkiake dhe shtet,: Vendosni kontrolle dhe ndëshkime për shitësit e papërgjegjshëm.

Shkollat dhe institucionet arsimore,

Mos e lini edukimin e fëmijëve vetëm në dorë të teknologjisë.

Prindërit, Kontrolloni, flisni, jini të pranishëm.

Nuk ka më kohë për të pritur. Jetët e fëmijëve tanë janë në rrezik.

Një thikë e shitur sot pa kontroll, nesër mund të bëhet armë për një tjetër krim. Mjaft me normalizimin e kësaj situate. Mjaft me mbylljen e syve. Mjaft me heshtjen.

Një fëmijë humbi jetën. Një tjetër do jetojë me barrën e një krimi që mund të ishte shmangur.

Ne si shoqëri  si prindër, si qytetarë, si institucione  nuk mund të qëndrojmë më spektatorë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*