Mbi 45 mijë hektarë janë shkrumbuar nga zjarret në Patagoni. Qeveria argjentinase ka shpallur gjendjen e emergjencës, ndërsa rriten kritikat ndaj shkurtimeve buxhetore të qeverisë Milei dhe qëndrimeve mohuesе ndaj ndryshimeve klimatike.

Patagonia vazhdon të digjet. Prej javësh, zjarret po shkatërrojnë zona të gjera në jug të Argjentinës, duke detyruar autoritetet të ndërmarrin masa emergjente. Sipas të dhënave zyrtare, flakët kanë prekur kryesisht provincat Chubut, Río Negro, Neuquén dhe La Pampa, me vatrat më të mëdha në jug të provincës Chubut.

Që nga fillimi i verës australe janë djegur mbi 45.000 hektarë pyje, një sipërfaqe afërsisht sa qyteti i San Franciscos. Qindra zjarrfikës janë angazhuar për të penguar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara. Ndër zonat më të goditura ndodhet edhe Parku Kombëtar Los Alerces, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i njohur për pyjet mijëravjeçare dhe liqenet akullnajore.

Kritika ndaj qeverisë Milei dhe politikave të shkurtimeve

Kriza ka ringjallur kritikat ndaj presidentit Javier Milei dhe politikave të tij të ashpra të kursimit. Sipas Associated Press, shkurtimet buxhetore kanë ndikuar ndjeshëm në aftësinë për parandalimin dhe përballimin e zjarreve.

Shërbimi Kombëtar i Menaxhimit të Zjarreve ka pësuar një ulje buxheti mbi 80% në vitin 2024, ndërsa për këtë vit parashikohet një tjetër reduktim prej 71%. Edhe Administrata e Parqeve Kombëtare ka humbur fonde dhe personel, me qindra rojtarë dhe punonjës të dorëhequr ose të shkarkuar.

Sindikatat dhe punonjësit e terrenit denoncojnë mungesë mjetesh, trajnimi dhe pajisjesh, ndërsa provincat kërkojnë mbështetje më të madhe nga qeveria qendrore. Vetëm pas presionit të guvernatorëve, qeveria shpalli gjendjen e emergjencës, me synimin për të lehtësuar koordinimin mes forcave provinciale dhe atyre kombëtare, si dhe për të zhbllokuar fondet për ndërhyrjet emergjente.

Ndryshimet klimatike dhe intensifikimi i zjarreve

Shkencëtarët e klimës dhe specialistët e fushës e lidhin përshkallëzimin e zjarreve me thatësira të zgjatura, temperatura të larta dhe erëra të forta, kushte që favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve. Sipas ekspertëve të cituar nga Associated Press, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po rrisin shpeshtësinë dhe ashpërsinë e ngjarjeve ekstreme, duke e bërë sezonin e zjarreve gjithnjë e më të gjatë dhe më shkatërrues.

Ndryshimi klimatik është i pamohueshëm dhe kjo është ajo që po përjetojmë”, deklaroi për AP zjarrfikësi Hernán Mondino, i angazhuar në operacionet në Parkun Kombëtar Los Alerces, duke theksuar se kushtet meteorologjike po e bëjnë çdo vit gjithnjë e më të vështirë kontrollin e zjarreve.

Qëndrimet mohuesе të Mileit

Presidenti Javier Milei ka mbajtur qëndrime hapur skeptike ndaj ngrohjes globale, duke e cilësuar ndryshimin klimatik si një “gënjeshtër socialiste” dhe duke ndjekur linjën mohuesе të ish-presidentit amerikan Donald Trump. Milei ka kërcënuar gjithashtu me tërheqjen e Argjentinës nga marrëveshjet ndërkombëtare për klimën dhe ka bojkotuar samitet kryesore mjedisore.

Sipas opozitës, sindikatave dhe organizatave ambientaliste, kjo linjë politike, e kombinuar me shkurtimet në shërbimet kundër zjarreve dhe administrimin e parqeve, ka dobësuar ndjeshëm kapacitetet parandaluese, pikërisht në një kohë kur ngjarjet ekstreme po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*