
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar të premten një aktakuzë historike në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër 21 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999.
Ky është rasti i parë ku ngrihet një aktakuzë në mungesë për dëbimin masiv të mbi 800.000 shqiptarëve nga Kosova gjatë luftës.
Në një konferencë për media, prokurori Atdhe Dema deklaroi se aktakuza është rezultat i pesë vjet hetimesh intensive dhe lidhet me ngjarjet që ndodhën mes janarit dhe qershorit të vitit 1999.
Të akuzuarit dyshohet se kanë pasur përgjegjësi komanduese mbi forcat ushtarake dhe policore serbe dhe kanë dështuar të parandalojnë apo ndëshkojnë krimet e kryera nga pjesëtarët e tyre, tha Dema.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të akuzuarit (të identifikuar vetëm me inicialet: Z.P, M.C, R.M, D.A, O.S, Ž.T, G.R, B.J, S.I, B.V, S.P, N.P, K.J, L.S, B.D, R.S, D.Z, M.Gj, L.C, B.F, M.K) akuzohen për veprime që përfshijnë:
Shkatërrimin e pronës civile,
Sulme të drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre,
Përndjekje dhe ndalime arbitrare për arsye etnike,
Dëbim të detyruar në masë të shqiptarëve drejt vendeve fqinje.
Sipas statistikave zyrtare, rreth 863.000 shqiptarë u zhvendosën me forcë gjatë kësaj periudhe një prej zhvendosjeve më masive në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Prokuroria ka bërë kërkesë për fletarrestime ndërkombëtare, pasi të dyshuarit aktualisht ndodhen jashtë juridiksionit të Kosovës. Dema theksoi se gjykimi në mungesë është mundësuar pas ndryshimeve ligjore të vitit 2022 në Kodin e Procedurës Penale, por të akuzuarit, në rast arrestimi, kanë të drejtë për një rigjykim të plotë.
Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë deri në fillim të vitit 2025, janë ngritur 50 aktakuza kundër 73 anëtarëve të forcave serbe, të dyshuar për krime lufte.
Aktgjykimi i parë në mungesë është dhënë në dhjetor 2024, kur Çedomir Aksiq u dënua me 15 vjet burg për krime lufte kundër popullsisë civile.
Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), mbi 13.000 civilë u vranë dhe mijëra të tjerë u zhdukën, ndërsa mbi 1.600 persona ende figurojnë të zhdukur, shumica shqiptarë. Trupat e qindra viktimave janë gjetur më vonë në varreza masive në Serbi, ku ishin zhvendosur fshehurazi nga forcat serbe për të fshehur krimet.
Udhëheqës politikë dhe ushtarakë serbë janë gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe Sllobodan Millosheviqin, i cili ndërroi jetë në burg pa u dënuar përfundimisht për krimet në Kosovë.




