Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përfunduar intervistimin nga prokurorët e Dhomave të Specializuar në Gjykatën Speciale, në Hagë.

Ai deklaroi se ka kryer obligimin ligjor si i dyshuar, teksa shtoi se ka zgjedhur që të mbrohet në heshtje.

“E kam kryer obligimin ligjor, si i dyshuar. Kam pranuar këshillën ligjore që mos të përgjigjem për çka jam pyetur.  Unë kam kryer obligimet e mia ndaj gjykatës. Janë procedura ligjore, jo për me fsheh diqka, por nuk ka ndonjë përmbajtje që jam njoftuar me diçka, nuk e di pse jam i dyshuar. Roli në UÇK, por jo diçka në përmbajtje”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, u mor në pyetje nga Prokuroria Speciale për Krime Lufte, një nga dy dhomat e Gjykatës Speciale që trajton pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime të luftës, në periudhën 1998-2000.

Nga janari i këtij viti, Prokuroria Speciale, ka intervistuar dhjetëra ish-luftëtarë, por Haradinaj është zyrtari më i lartë i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe të institucioneve të Kosovës që do të merret në pyetje nga hetuesit.

Haradinaj udhëtoi drejt Hagës, të martën, katër ditë pasi dha dorëheqjen si kryeministër i Kosovës, për shkak të ftesës për intervistim në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa është shpallur i pafajshëm dy herë nga akuzat që lidhen me luftën, në vitin 2008 dhe pastaj në një rigjykim të pjesshëm, më 2012.

Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës miratoi ligjin për formimin e Gjykatës Speciale në gusht të vitit 2015, ndërsa Gjykata u bë plotësisht funksionale në korrik të 2017-ës.

Vendimi për themelimin e saj pasoi publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin u tha se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit, gjatë dhe para luftës së viteve 1998/99. Formimi i saj nxiti pakënaqësi dhe çoi në protesta të veteranëve të UÇK-së.

Gjykata është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por statutusi i saj u lejon prokurorëve që t’i zhvendosin procedurat jashtë vendit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*