Përgatiti Agron Brataj

Në Itali është ndezur një përplasje e fortë mes qeverisë dhe Gjykatës së Lart pas vendimit të kësaj të fundit për të mos miratuar projektin për ndërtimin e urës që do të lidhë Siçilinë me kontinentin, të njohur si “Ura mbi Ngushticën e Mesinës”.

Gjykata  ka refuzuar të regjistrojë vendimin e Cipess (Komiteti Ndërministror për Programimin Ekonomik dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm), që në gusht kishte miratuar projektin përfundimtar të veprës gjigante infrastrukturore. Vendimi, megjithatë, nuk është përfundimtar: sipas ligjit italian, qeveria mund të vendosë të ecë përpara duke i dhënë projektit “miratim me rezervë”, nëse vlerëson se ekziston një interes publik më i lartë.

Reagimi i qeverisë ka qenë i menjëhershëm. Kryeministrja Giorgia Meloni e ka quajtur vendimin e Gjykatës “një tjetër akt pushtimi të kompetencave të qeverisë nga gjyqësori”, ndërsa ka akuzuar magistratët për “formalizma të pajustifikuar”, duke përmendur si shembull faktin që disa dokumente u dërguan me link digjital.

Edhe ministri i Infrastrukurës Matteo Salvini ka reaguar ashpër, duke e cilësuar “një vendim politik që dëmton rëndë vendin” dhe ka theksuar se “projekti do të vazhdojë”. Ndërkohë, ministri i Jashtëm Antonio Tajani është shprehur “i habitur”, duke theksuar se “në një shtet demokratik, nuk mund të jetë gjykata që vendos se cilat vepra strategjike duhen ndërtuar”.

Nga ana tjetër, opozita ka akuzuar Melonin për përpjekje për të vendosur veten “mbi ligjin dhe Kushtetutën”. Liderja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, ka deklaruar se “me sulmet ndaj Gjykatës së Llogarive, Meloni tregon qëllimin e saj të vërtetë: dobësimin e institucioneve të pavarura”.

Kreu i Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë, Angelo Bonelli, e ka cilësuar vendimin e Gjykatës “një fitore të shtetit ligjor” dhe ka kërkuar dorëheqjen e Salvinit.

Sipas mediave italiane, mes çështjeve që kanë ngritur dyshime janë mbulimi financiar i projektit, parashikimet e trafikut, si dhe përputhshmëria me normat mjedisore dhe antisizmike, në një projekt që kap vlerën prej 13,5 miliardë eurosh dhe që është bazuar në një dokumentacion teknik të përgatitur që 26 vite më parë.

Megjithatë, kompania “Stretto di Messina”, që merret me projektin, ka theksuar se “e gjithë procedura është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjet italiane dhe ato evropiane”. Vendimi përfundimtar i Gjykatës  pritet të publikohet brenda 30 ditësh.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*