Editorial nga Vangjel Sako

Mungesa e energjisë elektrike për orë e deri ditë të tëra është një sëmundje kancerogjene gati në gjithë vendin këto 30 vjet demokraci. Justifikimi edhe dekadën e parë se “tashmë janë shtuar së tepërmi orenditë shtëpiake që punojnë me energji për mua, që e kam dëgjuar nga specialistë të mirëfilltë të këtij sektori, nuk qëndron. Kjo për vetë faktin se vërtet janë shtuar në shumicë këto orendi, por në të gjitha qytetet shqiptare kishte me shumicë gjithashtu ndërmarrje shtetërore që punonin me këtë energji dhe harxhonin ku e ku më shumë se ata qindra e mijëra frigoriferë apo lavatriçe që u shtuan në familjet shqiptare dhe që në fund të fundit u shkatërruan. Lind pyetja retorike:

Ku shkoi kjo energji e këtyre ndërmarrjeve që në të shumtën e rasteve punonin 24 orë, pra me 3 turne?! Padyshim që këto vitet e fundit një justifikim i tillë është qesharak. Po atëherë përse vazhdon të mungojë kaq shumë energjia në shtëpitë tona? Unë përsëri jam në mendjen e specialistëve të mirëfilltë të kësaj fushe: mungon serioziteti dhe përgjegjësia e institucioneve përkatëse. Kur them përgjegjësia nuk bëhet fjalë vetëm për atë morale, por edhe ligjore. Kjo sepse në radhë të parë mungon reciprociteti në marrëdhënien midis shtetit dhe qytetarit. Ishte ky shtet që me sëpatë të madhe dhe mirë bëri, vendosi me dhunë pagesën e energjisë për çdo konsumator. Ai që nuk paguante, mbyllej në “shtatë penxheret” dhe disa syresh edhe u vetëflijuan aty.

Mirë ky qerrata shtet shkon fshatë më fshatë, lagje më lagje dhe shtëpi më shtëpi dhe kërkon nga të gjithë të paguajnë atë që harxhojnë (dhe mirë bënë), por pse fshihet si struci ky shtet kur përgjegjësia është e tij. Si s’u kujtua ky shtet një herë të vetme të mbajë përgjegjësi ligjore dhe monetare kur këtyre qytetarëve u mungon energjia elektrike për orë dhe ditë të tëra? Kur them papërgjegjshmëri institucionale kam parasysh atë që nga operatorët e thjeshtë që të përgjigjen kur shqetësohesh për mungesën e energjisë dhe deri tek drejtuesit më të lartë të institucionit. Ata të parët mjaftojnë me marrjen e ankesës tënde dhe nuk e ndjejnë përgjegjësinë dhe nuk e dinë se nuk janë thjesht përcjellës mekanikë të kësaj ankese, por duhet të bëhen pjesë organike e zgjidhjes.

Kanë mësuar ca përgjigje shabllone që mund të t’i japë edhe një robot, herë-herë të flasin ëmbël dhe mjaftohen me përcjelljen e defektit tek teknikët. Ata duhet të rrinë në linjë të përhershme dhe duhet të mbajnë në korrent qytetarin se deri në ç’nivel është defekti, si po shkon rregullimi dhe kur përfundon. Sepse në këtë periudhë të tmerrshme pandemie, një pjesë e madhe e qytetarëve po punojnë nëpër shtëpi edhe punonjës të administratës shtetërore dhe pa energji ata kthehen në të papunë. Pastaj ndjenja e përgjegjësisë duhet të transferohet nëpër gjithë zinxhirin institucional për të marrë zgjidhje. Por ka inxhinierë dhe përgjegjës specialistë që edhe telefonin nuk e hapin kur ka problem dhe jo të merren me zgjidhjen e tij.

Mungesë të theksuar të energjisë elektrike në Tiranë ka këto kohë edhe pse kjo është kthyer në kantier ndërtimi nga të gjitha anët. Shumë mirë kjo e fundit, por përgjegjësia e këtyre firmave që kanë fituar tenderat në këto projekte në këtë mungesë energjie është e tejskajshme e madhe. Fatkeqësisht ato edhe për neglizhencë dhe indiferencë të vet shtetit nuk e ndjejnë fare këtë përgjegjësi. Hapin kanale ku të mundin dhe nuk janë korrekt me hartat e shpërndarësve të energjisë nëntokësore dhe të ujësjellësve dhe bëjnë defekte nga më të ndryshme.

Në këtë rast dëmtohet qytetari dhe shteti as që interesohet që në bazë të ligjit të marrë prej tyre dëmshpërblim. Jam interesuar në institucionet e kësaj linje dhe kam mësuar me dhimbje se të dënuarit nga këto firma përgjegjëse për difektet kanë qenë aq sa mund të numërohen me gishtat e duarve ndërkohë që ka patur me dhjetëra – qindra dëmtime të këtij karakteri. Nëse do të ketë ndëshkim sipas ligjeve në fuqi patjetër që do ketë reagim pozitiv nga kushdo që do të kryejë punime në të ardhmen.

Por me sa duket midis këtyre firmave dhe institucioneve shtetërore është arritur një kompromis gojor dhe ndaj vuajnë qytetarët. Por reciprociteti nuk mungon vetëm në linjën e energjisë elektrike apo të ujësjellësit. Më skandaloz është ky reciprocitet midis qytetarëve dhe firmave private që komandojnë internetin dhe shpërndarjen e sinjalit televiziv. Njëra më bërnut se tjetra. Ikën interneti që sot është kthyer në mjet punë dhe ca zonjusha në linjën tjetër të telefonit qetë e qetë të thonë se ka defekt dhe po punohet për t’u rregulluar. Ky rregullim shkon edhe me orë të tëra, por askush nuk do t’ia dijë dhe askush nuk merr përsipër përgjegjësinë për këtë, paçka se qytetari duhet të punojë. Edhe braktisja e njërës firmë për tjetrën nuk është efikase sepse të njëjtën problem gjen edhe atje ku shkon sa që herë herë të mbushet mendja se këto komandohen nga e njëjta dorë. Dhe si gjithmonë është qytetari ai që e “ha”. Vetëm marrja e përgjegjësisë nga institucionet shtetërore u jap fund këtyre problemeve që është fare e thjeshtë: ligjërisht të bëhet sigurimi i reciprocitetit midis qytetarit dhe institucioneve përkatëse.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*