Agron Brataj

Është e papranueshme dhe alarmante që, në një periudhë kur Kryeministri del publikisht me premtime për rritje pagash çdo vit, punonjësit e Portit Detar të Vlorës të jenë prej tre muajsh pa marrë rrogat e tyre.

Këta punonjës përballen çdo ditë me kushte pune skandaloze. Terminali i portit ndodhet në gjendje të rëndë infrastrukturore; lagështira ka dëmtuar seriozisht ambientet dhe ekziston rreziku real që tavani të shembet, duke vënë në rrezik jetën e punonjësve, policisë kufitare dhe pasagjerëve që udhëtojnë drejt Italisë.

Pagat e punonjësve janë në nivele qesharake dhe të pamjaftueshme për të përballuar jetesën. Ata nuk kanë mundësi të kursejnë asnjë lek, ndërkohë që kanë familje, fëmijë për të ushqyer dhe detyrime të shumta ekonomike. Mungesa e pagesave prej muajsh i ka zhytur në vështirësi të mëdha financiare dhe psikologjike.

Një tjetër problem serioz është fakti se punonjësit nuk guxojnë të dalin publikisht për të shprehur shqetësimet e tyre, pasi kanë frikë se do të largohen nga puna dhe do të mbeten “në mes të katër rrugëve”, pa asnjë siguri ekonomike. Kjo frikë i ka detyruar të heshtin, edhe pse padrejtësia ndaj tyre po thellohet çdo ditë.

Shtrohet pyetja:
A do të ketë zgjidhje për këta punonjës? A do të reagojnë institucionet përgjegjëse?

Punonjësit e Portit të Vlorës kërkojnë vetëm atë që u takon me të drejtë:

pagesën e menjëhershme të rrogave të prapambetura,

përmirësimin urgjent të kushteve të punës,

dhe respekt për dinjitetin e tyre njerëzor dhe profesional.

Shpresojmë që ky apel të dëgjohet nga institucionet përkatëse dhe të merren masa të menjëhershme, sepse heshtja dhe neglizhenca po rrezikojnë jo vetëm jetesën e qindra familjeve, por edhe sigurinë publike.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*