Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me protestën e 24 tetorit në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje dhe incidente në disa zona të kryeqytetit. Sipas policisë, pesë efektivë mbetën të plagosur pasi u sulmuan me gurë, sende metalike, mjete piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi.
Në njoftim theksohet se drejtuesve dhe efektivëve në terren u ishte kërkuar të tregonin vetëpërmbajtje dhe të respektonin parimin e proporcionalitetit gjatë ndërhyrjeve.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetime për rastin e një 28-vjeçari që pësoi dëmtim në sy gjatë protestës. Çështja po verifikohet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.
Policia ka reaguar gjithashtu pas publikimit të pamjeve ku një efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja” dyshohet se ka përdorur forcë në mënyrë joproporcionale. Inspektori A. K. është pezulluar nga detyra, ndërsa ndaj tij ka nisur hetim administrativ.
Policia e Shtetit deklaroi se çdo rast i dyshuar për tejkalim të kompetencave do të hetohet, duke theksuar se respektimi i ligjit, proporcionaliteti në përdorimin e forcës dhe mbrojtja e qytetarëve mbeten detyrime themelore të efektivëve.